Pensionistët do të mund të përfitojnë kredi për të zhvilluar aktivitete ekonomike, sipas Planit të Moshimit 2025–2030, miratuar nga qeveria shqiptare.
Dokumenti evidenton se të moshuarit mbi moshën 60 vjeç përballen me vështirësi serioze për të marrë kredi, sidomos për të shfrytëzuar asetet në pronësi si shtëpi apo toka, çka i privon ata nga vetëpunësimi dhe krijimi i të ardhurave.
“Të ardhurat e pamjaftueshme dhe barrierat e sistemit bankar i përjashtojnë të moshuarit nga kreditimi”, thuhet në analizën zyrtare. Krahas kësaj, komisionet bankare për këtë grup rezultojnë më të larta krahasuar me grupmosha të tjera.
Për këtë arsye, qeveria planifikon të nënshkruajë një marrëveshje mes Ministrisë së Financave, asaj të Shëndetësisë dhe Bankës së Shqipërisë, për lehtësimin e aksesit të të moshuarve në shërbime financiare.
Dy banka të nivelit të dytë kanë shfaqur gatishmëri për të ofruar kritere të favorshme kredidhënieje për moshën e tretë, për të nxitur përfshirjen e tyre në jetën ekonomike.
Sipas dokumentit, qëllimi është të zbutet diskriminimi financiar dhe të krijohen kushte për një jetë aktive dhe të pavarur ekonomikisht për individët e aftë fizikisht dhe mendërisht mbi moshën 60 vjeç.