KreuAktualitetEkonomiaQira në vend të blerjes/ Sa miliona lekë paguan shteti për makinat?

Qira në vend të blerjes/ Sa miliona lekë paguan shteti për makinat?

Institucionet publike po përdorin gjithnjë e më shumë qiranë operative dhe leasing-un për sigurimin e automjeteve, me kontrata që në disa raste arrijnë në qindra milionë lekë.

Të dhënat e procedurave publike të prokurimit tregojnë kontrata për automjete me afate nga 12 muaj deri në disa vite. Në disa prej tyre përcaktohet shprehimisht se automjetet merren me qira pa mundësi blerjeje.

Një nga kontratat me vlerën më të lartë është ajo e Albanian Gas Service Company, e cila ka zhvilluar procedurë për “marrje me qira automjete pa mundësi blerje”. Fondi limit ishte 94.79 milionë lekë pa TVSH, ndërsa oferta fituese e kompanisë C L A S S I C rezulton 86.445 milionë lekë pa TVSH.

Pra, për një kontratë të tillë, shteti ose shoqëria publike paguan një shumë të konsiderueshme për përdorimin e automjeteve, ndërsa dokumenti e përcakton qartë se ato nuk blihen në përfundim të marrëveshjes.

Policia, mbi 400 milionë lekë për makina me qira

Në vitin 2025, Operatori i Blerjeve të Përqendruara zhvilloi procedurën për marrjen me qira të mjeteve rrugore për Policinë e Shtetit, të ndarë në dy lote: Automjete SEDAN dhe SUV.

Dokumenti I I Tenderit, Policia

Fondi limit për të dy lotet ishte 450.69 milionë lekë pa TVSH. Për lotin e automjeteve SEDAN, oferta fituese e EUROCAR Rentals ishte 198.72 milionë lekë pa TVSH, ndërsa kontrata me TVSH arriti në 238.464 milionë lekë dhe ka kohëzgjatje 48 muaj.

Për lotin e SUV-ve, të dhënat e prokurimit tregojnë fond limit 227.8 milionë lekë, ndërsa oferta fituese e MEKTRIN MOTORS rezulton 201.024 milionë lekë pa TVSH.

Në total, vetëm dy lotet e Policisë kanë një fond limit prej rreth 450.7 milionë lekësh pa TVSH.

5 makina për AZHBR-në

Edhe Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural ka përdorur qiranë operative.

Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka hapur në vitin 2026 procedurën për 5 automjete për AZHBR-në, të ndara në katër SUV dhe një autoveturë.

Dokumenti I Tenderit, AZHBR

Fondi limit ishte 12.1 milionë lekë pa TVSH, ndërsa kontrata parashikohet për 24 muaj. Vetëm loti për katër SUV-të kishte fond limit 8.384 milionë lekë pa TVSH.

NJOFTIMI I KONTRATËS, AZHBR

Në dokumentet e procedurës, objekti përcaktohet si “Qira operacionale për 5 automjete për A.ZH.B.R.”.

Edhe Instituti i Mjekësisë Ligjore merr makina me qira

Në gusht 2026 është shpallur edhe procedura për 3 automjete transporti për Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Fondi limit është 3.115.200 lekë, ndërsa kohëzgjatja e parashikuar e kontratës është 24 muaj. Procedura është zhvilluar nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara.

Ndërkohë, për Agjencinë për Mbikëqyrjen e Vetëqeverisjes Vendore, në shtator 2026 është hapur një procedurë për marrjen e një automjeti me qira operative/leasing, me fond limit 1.237.109 lekë dhe kohëzgjatje 12 muaj.

Qira në vend të blerjes

Dokumentet tregojnë se qiraja e automjeteve është përdorur në institucione të ndryshme dhe për periudha të ndryshme. Në disa raste bëhet fjalë për automjete të zakonshme, ndërsa në raste të tjera për SUV apo mjete të dedikuara për funksione specifike.

Por, sa i kushton shtetit përdorimi i një automjeti me qira krahasuar me blerjen e tij?

Ajo që dokumentet publike tregojnë tashmë është se bëhet fjalë për qindra milionë lekë në kontrata për automjete me qira, ndërsa në disa raste automjetet nuk kanë si destinacion përfundimtar pronësinë e institucionit që i përdor.

Për Policinë e Shtetit, vetëm dy lotet e procedurës kishin një fond limit prej rreth 450.7 milionë lekësh pa TVSH; për Albanian Gas Service Company oferta fituese ishte 86.445 milionë lekë pa TVSH, ndërsa për AZHBR-në kontrata për pesë automjete u parashikua në vlerën 12.1 milionë lekë pa TVSH.

 E Vërteta.al (E.S)

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat