Bojkoti i avokatëve në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përshkallëzohet. Pas rreth 20 ditësh pa zhvillim të proceseve gjyqësore, avokatët kanë vendosur të zgjerojnë bojkotin edhe në seancat për masat e sigurisë.
Vendimi është marrë këtë të mërkurë, pas mbledhjes së avokatëve në Dhomën Kombëtare të Avokatisë, sipas gazetares Anila Hoxha.
Deri tani, seancat për caktimin apo shqyrtimin e masave të sigurisë ishin përjashtuar nga bojkoti. Me vendimin e ri, avokatët kanë përfshirë edhe këto procedura në qëndrimin e tyre.
Prej rreth 20 ditësh, seancat gjyqësore në GJKKO janë prekur nga bojkoti i avokatëve. Përfshirja e masave të sigurisë e zgjeron ndjeshëm shtrirjen e protestës, pasi prek edhe seancat që lidhen drejtpërdrejt me personat nën hetim dhe vendimmarrjen e gjykatës për masat ndaj tyre.
Vendimi i ri pritet të ndikojë edhe në zhvillimin e procedurave të reja për masat e sigurisë, në varësi të pjesëmarrjes së avokatëve në këto seanca.



