Pas shkarkimit të Vlora Hysenit nga drejtimi i Shërbimit Informativ të Shtetit, kryeministri Edi Rama ka firmosur urdhrin për delegimin e përkohshëm të kompetencave administrative të drejtorit të SHISH.
Sipas urdhrit, kompetencat i janë deleguar drejtorit të Departamentit Operativ, Elvis Lila. Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe do të jetë në fuqi deri në emërimin e drejtorit të ri të Shërbimit Informativ të Shtetit.
Delegimi është bërë në zbatim të Kushtetutës dhe legjislacionit në fuqi për administratën publike dhe SHISH.
Vendimi vjen një ditë pas shkarkimit të Vlora Hysenit, e cila më herët u vu në qendër të një hetimi të SPAK dhe ndaj saj u caktua masa e sigurimit “arrest në shtëpi”.
Deri në përfundimin e procedurës për emërimin e drejtuesit të ri, drejtimi administrativ i institucionit do të mbulohet përkohësisht nga Elvis Lila.



