E ardhmja e Armando Brojës është një nga çështjet më të diskutueshme në këtë merkato. Kjo pasi sulmuesi me shumë gjasa do të largohet nga Chelsea, pasi nuk është në planet e stafit për sezonin e ri.
Për shqiptarin ka interesime nga disa ekipe dhe së fundmi një tjetër pistë për të ka dalë në skenë. Bëhet fjalë për një rikthim në Holandë. Chelsea po vazhdon bisedimet me Ajax për një shkëmbim të mundshëm të Brojës me Jorrel Hato.
Ky i fundit pëlqehet nga drejtuesit anglezë, të cilët do të tentojnë transferimin e tij, duke përfshirë këtu edhe shkëmbimin me Brojën, me shqiptarin që ka interes nga holandezët.
Një lëvizje që mund të kënaqë të dyja klubet dhe mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë në ditët në vazhdim. Për Brojën do të jetë një rikthim në Holandë, pasi siç dihet në të kaluarën ka mbajtur veshur fanellën e Vitesse në Eredivisie.