Bashkitë po i japin përparësi pagave në kurriz të investimeve publike, sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave për pesëmujorin e parë të vitit 2025.
Në këtë periudhë, shpenzimet për personel zënë 56% të shpenzimeve totale, një rritje krahasuar me 52% në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në total, për paga dhe kontribute janë harxhuar 16.454 miliardë lekë, rreth 25% më shumë se në vitin 2024, rritje që lidhet drejtpërdrejt me shtesat në paga.
Ndërkohë, shpenzimet kapitale, që përfaqësojnë investimet në infrastrukturë dhe shërbime, janë tkurrur në 14% të totalit, nga 16.6% vitin e kaluar. Në vlerë, ato mbetën në nivelin e njëjtë: rreth 4.1 miliardë lekë, pa asnjë rritje reale, madje me rënie efektive për shkak të inflacionit.
?? Kjo zhvendosje buxhetore po ul ndjeshëm aftësinë zhvillimore të bashkive, të cilat pas 10 vitesh nga reforma territoriale, po shfaqin vështirësi në përmbushjen e rolit të tyre. Edhe pse fondet u dyfishuan dhe kompetencat u zgjeruan që nga viti 2015, cilësia e shërbimeve jo vetëm nuk është përmirësuar, por shpesh është përkeqësuar, veçanërisht në zonat rurale.
Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2024 bashkitë realizuan vetëm 43% të programit të investimeve, me më pak se gjysmën e fondeve të planifikuara që u shpenzuan realisht (19.9 miliardë lekë nga 46.3 miliardë).
?? Kombinimi i shpenzimeve të larta operative me performancë të dobët investimi po rrezikon funksionalitetin e pushtetit vendor, veçanërisht në një kohë kur popullsia po largohet nga rajonet dhe kërkesat për shërbime cilësore po rriten.



