back to top
13.5 C
Tirana
E shtunë, 28 Mars, 2026
spot_img
KreuAktualitetShehi: Opozita duhet të rrëzojë marrëveshjen Rama-Berisha

Shehi: Opozita duhet të rrëzojë marrëveshjen Rama-Berisha

Kreu i Lëvizjes për Ndryshim, Dashamir Shehi, ka dhënë këshilla të qarta për opozitën shqiptare, duke theksuar nevojën për të ndryshuar status quo-n e krijuar nga marrëveshja e vitit 2009 mes Edi Ramës dhe Sali Berishës. Në një intervistë për A2 CNN, Shehi u shpreh se kjo marrëveshje ka mbajtur në këmbë një sistem që ka favorizuar absolutizmin e liderëve partiakë dhe ka penguar opozitën që të fitojë vota.

“Opozita duhet të japë një shembull dhe të mbajë ata më të ndershmit, më të zotët, dhe jo ata mbas kryetarit. Sepse edhe ky është difekt opozitar. Gjithnjë është kjo fjala bashkim, do bashkohemi rreth teje? Jo, do të bashkohemi për idetë,” tha Shehi, duke nënvizuar rëndësinë e përqendrimit te idetë dhe jo tek individët.

Ai shtoi se rrëzimi i marrëveshjes së pistë të 2009 do të shënonte një hap të rëndësishëm për ndryshimin e sistemit politik: “Po të ishte një ligj tjetër do të kishim një situatë tjetër. Opozita ka 10 vjet që humb vota rrugës për shkak të këtij ligji dhe nuk do ta ndryshojë. Ditën që ndryshohet ky ligj bie absolutizmi i liderit të partisë.”

Shehi gjithashtu u shpreh për qëndrimin ndaj SPAK-ut dhe organit të prokurorisë. Ai mbështeti hetimet, duke vlerësuar që për herë të parë disa figura politike po përballen me ligjin. “Beteja e opozitës duhet të jetë me Edi Ramën dhe jo me Altin Dumanin. Këta zotërinj për herë të parë kanë thërritur disa njerëz nëpër gjyqe që të tjerët nuk e kishin bërë deri më sot. Uroj që nga kjo histori të dalë diçka,” tha Shehi, duke shtuar se nuk e sheh Dumanin si armik të opozitës.

Ai kritikoi gjithashtu gabimet e opozitës në të kaluarën, duke sulmuar organet e drejtësisë: “Kush është i ndershëm nuk ka pse të trembet nga Prokuroria,” tha Shehi, duke kujtuar se për shkak të sistemit të drejtësisë, shumë prej atyre që kanë qeverisur vendin do të duhej të përballeshin me ligjin.

Mesazhi kryesor i Shehit për opozitën është që fokusimi i energjive duhet te qeveria aktuale dhe jo te organet e hetimit, ndërsa theksoi se vetëm një opozitë e ndershme dhe e aftë mund të sjellë ndryshimin e nevojshëm në skenën politike shqiptare.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat