Kryetari i Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), Erion Bani, mori pjesë të martën në konferencën e nivelit të lartë “Forcimi i Integritetit Gjyqësor”, ku u diskutua mbi pavarësinë, transparencën dhe integritetin e sistemit gjyqësor në Shqipëri.
Bani theksoi se përmirësimi i vazhdueshëm i sistemit gjyqësor është një detyrim për t’iu përgjigjur pritshmërive të larta që publiku ka ndaj drejtësisë së re. Ai shtoi se gjyqtarët dhe prokurorët duhet të ruajnë pavarësinë e tyre dhe të ndërtojnë një kulturë pune transparente me publikun.
“Ta ruajmë dhe ta mbrojmë pavarësinë tonë çdo ditë. Për ne, transparenca nuk është detyrim ligjor, por kulturë pune. GJKKO bashkëpunon ngushtë me ILD dhe KLGJ, duke e parë jo si cenim të pavarësisë, por si pjesë integrale të ekuilibrit. Një sistem që korrigjon vetveten është një sistem që fiton besimin e publikut,” tha Bani.
Ai theksoi gjithashtu se një drejtësi e pavarur dhe transparente është thelbësore për të siguruar që vendimet gjyqësore bazohen në ligj dhe integritet, duke forcuar besimin e qytetarëve te institucioni i drejtësisë.



