Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Kandidatët për tre vendet e reja në Këshillin e Lartë Gjyqësor kanë paraqitur prioritetet e tyre për mandatin e ardhshëm pesëvjeçar, duke renditur ndër problematikat kryesore ngarkesën e lartë në gjykata, vakancat, infrastrukturën, pagat, sigurinë e gjyqtarëve dhe mënyrën e promovimit në sistem.
Në procesin e zgjedhjes së anëtarëve të rinj të KLGJ-së, kandidatët që përfaqësojnë gjykata të niveleve të ndryshme kanë paraqitur qëndrimet e tyre gjatë mbledhjes, ku është diskutuar edhe për sfidat me të cilat përballet aktualisht sistemi gjyqësor.
Arbena Ahmeti, kandidate për KLGJ nga Gjykata e Lartë, u ndal te nevoja për një bashkëpunim më të madh institucional dhe mbështetjen e gjyqtarëve.
Sipas saj, KLGJ duhet të bashkëpunojë në mënyrë aktive me institucionet përgjegjëse, ndërsa vëmendje duhet t’i kushtohet edhe shoqatave të gjyqtarëve, të cilat, sipas Ahmetit, përballen me mungesë fondesh dhe infrastrukture.
“KLGJ duhet të bashkëpunojë aktivisht me institucionet përgjegjëse. Shoqatat e gjyqtarëve përballen me mungesë fondesh dhe infrastrukture, ndaj Këshilli duhet të ofrojë mbështetje”, u shpreh ajo.
Ahmeti kërkoi edhe besimin e kolegëve për pesë vitet e ardhshme, duke deklaruar se synimi i saj është përmirësimi i sistemit gjyqësor.
Sandër Simoni, një tjetër kandidat nga Gjykata e Lartë, e përshkroi situatën në sistemin gjyqësor si një periudhë konsolidimi, por njëkohësisht edhe sprove për shkak të ngarkesës së punës.
“Pushteti gjyqësor është në një fazë konsolidimi dhe në momente sprove, për shkak të ngarkesës në punë”, tha Simoni.
Ai përmendi edhe disa prej problematikave që, sipas tij, kanë vënë në provë sistemin gjatë kësaj periudhe, duke iu referuar humbjes së një kolegu dhe konfliktit të krijuar lidhur me pagat.
“Ngjarja e rëndë e humbjes së kolegut dhe konflikti i pagave ishin sprovë, së pari për garantimin e sigurisë dhe për respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi Simoni.
Nga Gjykata e Apelit, Fatri Islamaj u ndal pikërisht te problematika e pagave dhe ngarkesa e gjyqësorit.
“Sfidat janë të shumta. Agresioni i paprecedentë me të cilin u përballëm gjatë këtij muaji për pagat përbën goditjen më arrogante”, tha Islamaj.
Mes prioriteteve të tij për KLGJ-në, ai renditi përshpejtimin e procesit të vlerësimit të gjyqtarëve, rishikimin e numrit të tyre, veçanërisht në gjykatat ku ka stok të lartë çështjesh, si dhe përmirësimin e infrastrukturës.
“KLGJ duhet të jetë më pranë gjykatave”, u shpreh ai.
Ndërkohë, Igerta Hysi, kandidate nga Gjykata e Apelit të Posaçëm, e vuri theksin te mënyra e promovimit të gjyqtarëve, cilësia e vendimeve dhe mbështetja e administratës gjyqësore.
Sipas Hysit, karriera e gjyqtarëve duhet të bazohet te aftësia dhe puna dhe jo te marrëdhëniet me KLGJ-në.
“Secili nga ne duhet të ketë bindjen se promovimi nuk varet nga afërsia me KLGJ-në, por nga aftësia dhe puna. Besimin që kërkojmë nga qytetarët duhet ta ndiejmë vetë nga brenda sistemit”, tha ajo.
Hysi kërkoi gjithashtu që vëmendja të mos përqendrohet vetëm te numri i vendimeve të dhëna, por edhe te cilësia e tyre.
“Do të mbështes arsyetimin në kohë të vendimeve, por gjithashtu jo vetëm statistika, por sidomos cilësi vendimesh”, deklaroi ajo.
Një tjetër çështje e ngritur prej saj ishte administrata gjyqësore. Hysi tha se gjyqtari nuk mund ta përballojë i vetëm gjithë procesin e punës dhe kërkoi rritjen e mbështetjes administrative dhe shtimin e ndihmësve ligjorë.
Në garë është edhe Brunilda Kadi, kandidate nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, e cila u mbështet te përvoja e saj e mëparshme në KLGJ dhe karriera në sistemin gjyqësor.
Kadi ka qenë anëtare e KLGJ-së gjatë mandatit 2016–2021. Sipas saj, kjo përvojë e ka ndihmuar të kuptojë më mirë funksionimin e Këshillit dhe nevojat e gjyqtarëve.
“Përvoja e mëparshme gjatë mandatit të parë, nga 2016 deri në 2021, dhe karriera në gjyqësor më kanë ndihmuar ta njoh më mirë sistemin”, tha Kadi.
Ajo theksoi se gjatë mandatit të parë kishte konstatuar nevojën që KLGJ-ja të krijonte identitetin e vet institucional. Ndërsa pas rikthimit në sistem, sipas saj, ishte përballur me problematika të reja.
“KLGJ nuk dëgjon gjyqtarët vetëm kur problemi është bërë i padurueshëm”, deklaroi Kadi.
Ajo e cilësoi profesionin e gjyqtarit si një përgjegjësi të veçantë.
“Kemi zgjedhur detyrën më sublime dhe më të vështirë, pra dhënien e drejtësisë. Kjo nuk është një punë, por një mision”, u shpreh kandidatja.
Nga gjykatat e shkallës së parë, Manjola Xhaxhi e vuri theksin te pavarësia e gjyqësorit, infrastruktura dhe shpërndarja e ngarkesës së punës.
“Duhet të ndërtojmë një drejtësi të fortë dhe të pavarur. Shumë prej vështirësive tona lidhen me infrastrukturën. Nevojiten ambiente të sigurta”, tha Xhaxhi.
Ajo kërkoi ndërhyrje të menjëhershme në infrastrukturën e gjykatave, duke përmendur veçanërisht Gjykatën e Apelit dhe gjykatat e rretheve.
Një tjetër problem që ajo ngriti ishte pabarazia në ngarkesën e gjyqtarëve.
“Ka ardhur koha të ketë shpërndarje të barabartë. Nuk është e pranueshme që në disa gjykata gjyqtarët të kenë ngarkesë 700 dosje dhe një tjetër 100”, deklaroi Xhaxhi.
Sipas saj, numri i lartë i çështjeve të mbartura mbetet një problem serioz dhe krijon ndjesinë se gjyqtarët janë të pambështetur në përballimin e ngarkesës.
Ndërsa Matilda Llangozi, gjithashtu kandidate nga gjykatat e shkallës së parë, kërkoi që KLGJ-ja të jetë më pranë gjyqtarëve dhe problematikave të tyre të përditshme.
“KLGJ duhet të jetë një institucion që dëgjon zërin e gjyqtarëve dhe, nëse do të më besohet kjo detyrë, do të përfaqësoj nga afër problemet, realitetin e gjykatave dhe dialogun me gjyqtarët”, tha Llangozi.
Ajo e lidhi pavarësinë e gjyqësorit jo vetëm me mungesën e ndërhyrjeve nga jashtë sistemit, por edhe me kushtet konkrete në të cilat gjyqtarët ushtrojnë detyrën.
“Pavarësia nuk nënkupton vetëm mungesën e ndërhyrjeve nga jashtë sistemit, por edhe plotësimin e kushteve, plotësimin e vakancave, mbështetjen e gjyqtarëve dhe promovimin”, u shpreh Llangozi.
Në këtë proces, kandidatët kanë paraqitur në mënyra të ndryshme të njëjtën problematikë të përgjithshme. Një sistem gjyqësor që përballet me ngarkesë të lartë, mungesë infrastrukture, vakanca dhe nevojë për më shumë mbështetje administrative, ndërsa KLGJ-ja e ardhshme do të ketë përballë detyrën për t’u dhënë zgjidhje këtyre problematikave gjatë mandatit të ri.



