Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Michel Tarran, zhvilloi sot një takim me Ministrin e Drejtësisë, Besfort Lamallari, ku në qendër të diskutimeve ishte vijimi i reformës në drejtësi dhe çështjet e sigurisë.
Ambasadori Tarran e përgëzoi Ministrin Lamallari për emërimin në detyrë dhe rikonfirmoi partneritetin e fortë midis OSBE-së dhe institucioneve shqiptare në çuarjen përpara të reformave në sektorin e drejtësisë.
“Reforma gjithëpërfshirëse e nisur në vitin 2016 është thelbësore për forcimin e shtetit të së drejtës. Prezenca e OSBE-së do të vazhdojë të mbështesë procesin në të gjitha nivelet,” – theksoi Ambasadori Tarran.
Fushat kryesore të bashkëpunimit përfshijnë:
Zbatimin e Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë 2024–2030;
Mbrojtjen e viktimave të krimit;
Rritjen e kapaciteteve të SPAK-ut dhe Gjykatave të Posaçme;
Mbështetjen për Gjykatën Kushtetuese, Këshillin e Lartë Gjyqësor, Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, si dhe Shërbimin e Ndihmës Juridike Falas dhe Përmbarimin Gjyqësor Shtetëror.
Një temë tjetër me rëndësi ishte përdorimi i paraburgimit në Shqipëri. Ambasadori ngriti shqetësimin për përdorimin e tepruar të masës së paraburgimit, duke theksuar nevojën për alternativa ligjore dhe masa të zbatueshme në praktikë.
Ai kujtoi kontributin afatgjatë të OSBE-së në reformën penitenciare, përfshirë:
krijimin dhe mbështetjen e Shërbimit të Provës,
përmirësimin e legjislacionit dhe politikave,
si dhe trajnimin e stafit të institucioneve të vuajtjes së dënimit.
Nga ana e tij, Ministri Lamallari shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të OSBE-së, duke theksuar përvojën e tij si ish-zëvendësministër i Brendshëm dhe angazhimin për të forcuar bashkëpunimin institucional.
“Reforma në drejtësi është një proces i gjallë që kërkon angazhim të përbashkët. Ne mbetemi të vendosur për ta çuar përpara me transparencë dhe përgjegjësi,” – deklaroi Ministri Lamallari.
Në përfundim, të dy palët riafirmuan angazhimin për një sistem drejtësie më transparent, efikas dhe të përgjegjshëm, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe institucionet shqiptare.