back to top
13.5 C
Tirana
E diel, 19 Tetor, 2025
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaTokat pa tapi, në shitje me 1 euro/ Kush përfiton nga "Paketa...

Tokat pa tapi, në shitje me 1 euro/ Kush përfiton nga “Paketa e maleve”?

Të gjithë individët që kanë përdorur një tokë shtetërore për më shumë se 10 vjet do të kenë mundësinë të investojnë në të përmes “Paketës së Maleve”, një iniciativë e re ligjore e hapur nga udhëzimi i fundit për përcaktimin e zonave prioritare të zhvillimit.

Qëllimi i paketës është të tërheqë investime për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik në zonat malore, duke rritur punësimin, përmirësuar kushtet e jetesës dhe shfrytëzuar me eficiencë burimet natyrore.

Ligji i cili ka hyrë në fuqi në qershor 2025, u mundëson individëve të marrin pronësinë e tokave shtetërore me tarifë simbolike 1 euro, për ato pasuri që ata i kanë përdorur vazhdimisht për të paktën 10 vite.

Kush mund të përfitojë

Individët që ushtrojnë posedim të vazhdueshëm dhe të pandërprerë mbi pasurinë shtetërore për më shumë se një dekadë.

Personat që nuk përdorin tokën, por mund të vërtetojnë lidhjen e tyre me pasurinë dhe dëshirojnë ta zhvillojnë atë përmes investimeve.

Procedura për njohjen si posedues jopronar nis me dorëzimin e një kërkese pranë njësisë vendore, e shoqëruar me plan rilevimi të sipërfaqes, të hartuar nga një ekspert gjeodet i licencuar. Pas verifikimit nga institucionet vendore, kërkesa kalon në Agjencinë e Zhvillimit të Territorit për marrjen e lejes së zhvillimit dhe më pas në ministrinë përgjegjëse për blerjen e pronësisë dhe nënshkrimin e kontratës.

Përfitimet për 10 vitet e para pas përfitimit të pronësisë

Përjashtim nga taksa e ndikimit në infrastrukturë.

Përjashtim nga taksa e pasurive të paluajtshme.

Përjashtim nga TVSH-ja dhe tatimi mbi të ardhurat.

Përparësi në përfitimin e granteve, kryesisht për projekte agroturistike dhe përpunuese.

Sipas ekspertëve, kjo paketë synon të stimulojë zhvillimin ekonomik në zonat malore, duke krijuar mundësi të reja investimi dhe punësimi, dhe duke kontribuar në shfrytëzimin efikas të burimeve natyrore.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat