back to top
11.5 C
Tirana
E martë, 21 Tetor, 2025
spot_img
KreuAktualitetSocialeGazetarët që flasin të vërtetën, sulmohen pa mëshirë/ Raporti i AWA-s lëshon...

Gazetarët që flasin të vërtetën, sulmohen pa mëshirë/ Raporti i AWA-s lëshon alarmin

Etleva Skonja

Në raportin e përgatitur nga Albanian Woman in AudioVisual (AWA) për periudhën janar 2024 – qershor 2025, rezulton se gazetarët kanë qenë në qendër të ndërhyrjeve me ton të urrejtjes dhe diskursit diskriminues në Shqipëri.

Gjatë periudhës së monitorimit janë regjistruar 96 incidente të gjuhës së urrejtjes dhe diskursit diskriminues.

Nga këto, 12 incidente përfshijnë kategori të përgjithshme, ndërsa 84 incidente janë klasifikuar në kategori të veçanta.

Dorentina Hysa (Autore e raportit)

Ndër narrativat që bien më shumë në sy: përdorimi i gjuhës urrejtëse mbi bazë gjinore (40.6%), ndaj kundërshtarëve politikë (12.5%) dhe – rëndësishëm – ndaj gazetarëve (12.5%).

Si sulmohen gazetarët?

Sipas raportit, përdoren kërcënime, sulme kibernetike, paditë penale, dhe shpërndarje të informacioneve të rreme për gazetarët.

Diskreditim i tyre, përdorim i gjuhës denigruese, veçanërisht kur bëjnë gazetari hulumtuese.

Shumica e sulmeve vijnë nga figura publike apo institucione shtetërore, që rrit shqetësimin për pavarësinë dhe sigurinë e punës së medias.

Pse është shqetësuese?

Sulmet e tilla mund të rrisin auto-censurimin. Gazetarët mund të shmangin disa tema nga frika se do përballen me presion ose shkelje të sigurisë.

Nëse mediat dhe gazetarët sulmohen, audienca mund të humbasë besimin se raportimi është i paanshëm dhe i sigurt.

Përkeqësim i klimës demokratike: një mjedis ku gazetarët nuk mund të punojnë pa frikë është një mjedis ku kontrolli i pushtetit dhe transparenca dobësohen.

Rastet

Sipas të dhënave, gazetarët profesionistë dhe mediat cilësore janë shënjestra kryesore e këtyre sulmeve, duke përfshirë gënjeshtra të dëmshme, dezinformim, kërcënime, fyerje dhe sulme kibernetike.

Incidente të tilla kanë përfshirë sulme direkte ndaj medias së pavarur “Citizens Channel”, e cila në prill 2024 u bllokua në rrjetet sociale dhe faqja e saj në internet u pengua të funksiononte pas raportimeve investigative mbi ndërtimin e Teatrit Kombëtar dhe abuzime me toka publike nga Bashkia e Tiranës.

Po ashtu, media “Media Look” u sulmua kibernetikisht në qershor 2024, me bllokimin e profilit të menaxherit të saj, Elvin Luku, në Facebook. Sulmi u konsiderua reagim ndaj qëndrimeve kritike të medias për qeverinë dhe dezinformimin publik.

Gazetarë të tjerë, veçanërisht ata që mbulojnë korrupsionin dhe abuzimet me pushtetin, kanë qenë gjithashtu në shënjestër. Një rast i tillë është ai i gazetares investigative Ola Xama, e cila u përball me kërcënime të vazhdueshme dhe fushata shpifëse pas raportimeve mbi skandalin e inceneratorit të Tiranës dhe lidhjet e kryetarit të bashkisë, Erion Veliaj, me abuzimet.

Ola Xama
Ola Xama

Artikujt e publikuar ndaj saj e etiketuan si “gazetare e paguar” dhe “vrasëse me pagesë”, madje u shpërnda edhe adresa e saj private, duke rrezikuar sigurinë e familjes.

I njëjti portal online vuri në shënjestër edhe Blerjana Binon, duke e akuzuar se kishte shkruar një raport të njëanshëm mbi lirinë e medias, në favor të ish-kryeministrit Sali Berisha. Sulmi u nxit nga publikimi i raportit “Media Freedom in Albania: a Shadow Report”, i publikuar nga SciDev dhe Osservatorio Balcani e Caucaso Transeuropa.

Blerjana Bino

Ky raport fokusohej në seksionin e tretë të Raportit të Komisionit të BE-së për Shtetin Ligjor 2024, kushtuar lirisë dhe pluralizmit të medias, me qëllim ofrimin e një analize të përditësuar të peizazhit mediatik shqiptar, përfshirë sfidat ekzistuese dhe ato në zhvillim.

 “Merimanga” e fondeve të shoqërisë civile, Blerjana Bino, raporte të njëanshme mbi sulmet ndaj gazetarëve.”

Disa raste të tjera që lidhen me përdorimin e GJUD-së ndaj gazetarëve përfshijnë zyrtarë shtetërorë dhe figura publike. Për shembull, rasti i Ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, ndaj një gazetareje dhe motrës së saj, pas raportimit mbi dështimin e Ministrisë për të administruar vaksinën kundër brucelozës, një projekt me kosto 1.7 milionë euro që përbën një çështje kritike, që prek shëndetin publik dhe bujqësinë;

Edhe Kryeministri Edi Rama ka qenë subjekt i përdorimit të GJUD-së, kur një gazetare e pyeti për projektin e investimit të Jared Kushner gjatë një konference për shtyp. Në raste të tjera, një notere sulmoi fizikisht gazetaren dhe ekipin e saj, duke përdorur forcën për të penguar raportimin mbi shkeljet ligjore.

Gazetarë sportivë si Ervin Baku dhe gazetarë të tjerë janë përballur me sulme dhe fyerje verbale, shpesh të nxitura nga qytetarë ose grupe me lidhje politike, duke përdorur gjuhën e urrejtjes për të minuar punën dhe integritetin e tyre.

Ekspertët dhe organizatat e medias kanë reaguar ndaj këtij fenomeni, duke përfshirë Rrjetin e Gazetarëve të Sigurt (Safe Journalists’ Network), Reporter.al, Citizens.al, Unionin dhe Shoqatën e Gazetarëve Shqiptarë. Ata paralajmërojnë se përdorimi i GJUD-së dhe sulmet e vazhdueshme ndaj medias investigative janë një kërcënim serioz për pluralizmin, lirinë e shtypit dhe funksionimin e demokracisë në Shqipëri.

Analizat tregojnë se këto sulme ndodhin jo vetëm në televizione dhe portale online, por edhe në rrjetet sociale, duke arritur një shtrirje që mund të kapë deri në 300,000 persona. Përdorimi i medias për qëllime politike dhe censurimi i zërave kritikë dëmtojnë integritetin e medias dhe pengojnë qytetarët në marrjen e informacionit të saktë.

Ky raport tregon se përdorimi i GJUD-së dhe sulmet ndaj gazetarëve janë një problem sistemik dhe i vazhdueshëm në Shqipëri, i cili kërkon reagim të menjëhershëm dhe mekanizma mbrojtës për gazetarët dhe median e pavarur.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat