Ish-deputetja socialiste Klotilda Bushka është paraqitur mesditën e kësaj të enjteje në ambientet e Struktures se Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku po vijojnë hetimet ndaj saj në kuadër të dosjes së kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Bushka, e cila ndodhet nën hetim nga Prokuroria e Posaçme, mësohet se ka kërkuar ndarjen e dosjes së saj nga pjesa tjetër e procedimit penal, duke pretenduar se tashmë nuk mban më funksion publik dhe nuk është më deputete apo zyrtare e lartë shtetërore.
Përmes kërkesës drejtuar Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ish-deputetja socialiste ka kërkuar që çështja ndaj saj të mos hetohet më nga SPAK, por të delegohet në Prokurorinë e Tiranës, me argumentin se nuk përfshihet më në subjektet që hetohen nga Prokuroria e Posaçme.
Megjithatë, burime juridike theksojnë se hetimet ndaj Bushkës kanë nisur në kohën kur ajo ushtronte funksionin e deputetes dhe se veprat penale për të cilat po hetohet lidhen pikërisht me periudhën kur mbante detyrë publike. Kjo është edhe arsyeja pse SPAK ka ruajtur kompetencën për vijimin e hetimeve ndaj saj.
Paraqitja e Bushkës në SPAK vjen në një moment kur dosja ndaj Veliajt dhe bashkëpunëtorëve të tij vijon të zgjerohet, ndërsa organi i akuzës po heton një sërë veprash penale që lidhen me korrupsionin dhe shpërdorimin e detyrës.



