back to top
17.5 C
Tirana
E hënë, 27 Tetor, 2025
spot_img
KreuOpinion dhe AnalizëVettingu/ Cilat ishin gabimet në përzgjedhjen dhe shkarkimin e magjistratëve

Vettingu/ Cilat ishin gabimet në përzgjedhjen dhe shkarkimin e magjistratëve

Nga av.Gurali Brahimllari 

Në vitet 2014 – 2015, edhe për pjesën më të madhe të magjistratëve, reformimi i sistemit të drejtësisë ishte domosdoshmëri, pasi abuzimet me detyrën të disa prej tyre kishin krijuar perceptimin për korrupsion masiv. Kjo situatë ishet thelluar edhe për shkak të sjelljeve devijante të KLD-së jo vetëm për mosndëshkimin e rasteve sporadike të shkeljesve nga gjykatësit ashtu edhe prej ”zërave” se kariera e tyre varej nga pagesat korruptive. Kjo qasje, e hiperbolizuar nga segmente te caktuara politke dhe mediatike, u reflektua edhe nga Komisioni i Venecias, i cili në Opinionin ndërmjetës të publikuar në dhjetor 2015, vuri në dukje se “Nevoja e procesit të vettingut shpjegohet nga një supozim, …,që niveli i korrupsionit në gjyqësorin shqiptar është jashtëzakonisht i lartë dhe situata kërkon masa urgjente dhe radikale”.

Por ndryshe nga sa thuhet sot, Komisioni i Venecias, duke analizuar legjislacionin që po diskutohej për procesin e vettingut, paralajmëroi pasojat e rënda që mund të sillte në sistemin e drejtësisë, prandaj këshilloi se “… duhet trajtuar si tërësisht i jashtëzakonshëm dhe i duhet nënshtruar masave mbrojtëse shumë shtrënguese për të mbrojtur ata gjyqtarë, që janë të përshtatshëm për të mbajtur postet e tyre” (shih pjesës B. pikat 98 – 100, të opinionit).

Ndërsa në Opinionin Final të miratuar në seancën plenare të datave 11-12 Mars 2016, Komisioni i Venecias, duke evidentuar qëllimet e procesit të rivlerësimit, u shpreh se “..dispozitat kalimtare në lidhje me masat e jashtëzakonëshme që synojnë vlerësimin e përshtatshmërisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve ekzistues dhe pastrimin e sistemit nga ata që janë të paaftë, të korruptuar ose të lidhur me krimin e organizuar”. Duke analizuar strukturat e organeve që do të kryenin procesin e Vetting-ut, Komsioni i Venecias kërkoi nga autoritet shqiptare të rishikonin kompetencat e Dhomës së Specializuar të Kualifikimit (si njihej në projekt shkalla e dytë e gjykimit), duke këshilluar që: “… gjyqtarët dhe prokurorët që i nënshtrohen vlerësimit duhet të kenë mundësi të ankimojnë në një gjykatë ligji ose të paktën në shkallë apeli…”. Madje duke evidentuar obligimet e nenit 6 të KEDNJ-së dhe jurisprudencën e Gjykatës së Strasburgut, për çështjet me natyrë disiplinore ndaj magjistratëve, në këtë Opinion Final, Komisioni i Venecias këshillonte më tej se:

“Së pari është e nevojshme të specifikohet që DHSK-ja duhet të bëjë gjithçka të nevojshme për të mbrojtur të drejtat themelore të të vlerësuarve.

Së dyti, rekomandohet të ruajë të drejtën e gjyqtarëve dhe prokurorëve të pushuar për t’u ankuar në Gjykatën Kushtetuese për shkelje të të drejtave të tyre themelore”.

Ky kontribut i Komisionit të Venecia, u vlerësua vetëm pjesërisht nga ”arkitektët” e reformës në drejtësi, duke u formuluar nenet ”D” dhe ”F” në Ankesin e Kushtetutës, nga njera anë u parashikuar detajet e rivlerësimit të kontrollit pasuror, dhe nga ana tjetër u krijua Kolegj i Posaçëm të Apelimit

Por e vërteta është se këshillat e eksperteve të Veniecia, për të drejtën e ankimit në Gjykatën Kushtetuese, nuk u pranuan, duke u justifikuar me kometenca e dhënë KPA-së edhe për korigjimin e shkeljeve të të drejtave themelore të magjistrateve që garatonte Aneksi i Kushtetutës, ndërsa rivlerësimi i kontrollit pasuror, u deformua nga nenein 61/3 i ligjit 84/2016, duke u shmanguar shkaku i përjashtimi nga detyra sipas kriterit të dyfishit të pasurisë së ligjshme ose kur vërtetohej fshehja e pasurisë, me përmbajtjen konfuze të dispozitës së sipërcituar, që parashikonte se magjistrati mund të shkarkohet “Kur rezulton se ka bërë deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e kontrollit të figurës dhe pasurisë sipas parashikimeve të neneve 39 dhe 33 të këtij ligji”

Pra, Institucionet e Rivlerësimit, nuk zbatuan kriteret e nenit ”D” të Aneskit të Kushtetutës, duke injoruar rekomandimet e Komisionit të Venecias, përderisa shkarkuan, në mënyrë masive, nga detyra magjistratët, kryesisht për ”deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë”, në kundërshtim me garancitë kushtetuese që duhet të vlerësonte posaçërisht, KPA, për verifikimin e standardit të dyfishit të pasurisë së ligjëshme. Mjafton të kujtojmë për këtë sjellje devijante, jo vetëm të KPK-së, por edhe të KPA-së, mendimin e dy prej Vëzhguesve Ndërkombëtare të ONM-së. I pari, (z. F.B. de Mongeot), që në Shkurt të vitit 2019, dha “alarmin” se ky intepretim i nenit 61/3 e kthen ligjin 84/2016 në një mjet “të aftë për të kryer mutacion gjenetik të çdo pike të përmendur në nenin 33 dhe duke e kthyer atë në “deklarim të pamjaftueshëm…..”. Ndërsa vëzhguesit tjetër (z.Steven Kessler), bërë publik qëndrimin që bazohej në rekomandimine Komisionit të Venecias se “..sanksioni i pushimit nga puna autorizohet kur asete te paligjshme ose te pashpjegueshme jane me shume se dyfishi i aseteve dhe te ardhurave te ligjshme”, prandaj aplikimi i nenit 61/3 të ligjit 84/2016, për të shkarkuar subjektin nga detyra përbën“nje korruptim të qellimit te ligjit ..”

Kujtojmë gjithashtu se praktika e deformuar e procesit të rivlerësimit, u konstatua edhe nga Komisioni i Venecias, i cili, duke mos u pajtuar me të, publikoi projekt – raportin e datës 07 mars 2020, me gjetjet se: “Ndërsa reforma në drejtësi dhe procesi i vetingut mbeten një prioritet dhe duhet të përmbyllen me sukses, është e nevojshme që të vlerësohet nëse rregullat, në mënyrën si po zbatohen –si përshembull kërkesa për të justifikuar paratë e fituara nga personi nën veting dhe të gjithë pjesëtarët e familjes së tij për një periudhë shumë më të gjatë se periudha që ligjet tatimore kërkojnë të ruhen dokumentat financiarë, çojnë apo jo në zgjidhje të mira dhe nëse nuk lejojnë shumë hapësirë për manipulim politik”.

Në vijim Komisioni i Venecias, nuk hezitoi të kritikojë edhe rastet e shkarkimeve nga detyra të Subjekteve të Rivlerësimit, për shkak se “bashkëshortët nuk mund të shpjegonin të ardhurat e tyre të krijuara para martese.” Madje, duke konstatuar qasjen e gabuar në veprimtarinë e Institucioneve të Rivlerësimit, lidhur me “zbatim tejet të ngurtë të afateve proceduriale” për paraqitjen e dokumentacionit, Komisioni i Venecias, këshillon nevojën për rivlerësimin e modaliteteve aktuale të vetingut, përfshi objektin e shtrirjes së procesit të vetingut“, si dhe rekomandon rihapjen e disa prej tyre, duke veçuar “raste të arsyeshme, me afate shumë të ngurta për paraqitjen e dokumentave”.

Por Institucionet e Rivlerësimit, përsëri, nuk i respektuan këshillat dhe rekomandimet e Komisionit të Venecia duke sjellë si pasojë situatën, edhe aktuale, që krijoi shkarkimi abuzive i magjistratëve. Kujtojmë se këto pasoja u paralajmëruan që në krye të herës nga Komisioni i Venecias. Duke u ndaluar tek vendimmarrjet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, rezulton se antarët e tij, nuk e patën kurrë idenë se, përpara se të merreshin me ”qindarkat” e pa justifikuara me të ardhurat e ligjëshme të subjekteve(medje edhe ne rastet kur të afërmit nuk kishte paguar tatim), kishin tagrat e Gjykatësit Kushtetues, të rekomanduar nga Komsioni i Venecias, të përcaktuara në nenin ”F” të këtij Aneksi që parashikon se “ Kolegji mund të kërkojë mbledhjen e fakteve ose të provave, si dhe të korrigjojë çdo gabim procedurial të kryer nga ana e Komisionit, duke mbajtur parasysh të drejtat themelore të subjektit të rivlerësuar”.

Prandja duke ballafaquar në tërësi rezultate e procesit te vettingut me pritshmëritë që synoheshin prej tij, e vërteta është se Shqipëria, nuk ka respektuar rekomandimet e Komisionit të Venecias, përderisa magjistratët u larguan në mënyrë selektive, dhe në kundërshtim me përcaktimet e neneve ”D” dhe “F” të Aneksit të Kushtetutës, që u formuluar sipas këshillave të Komisionit të Venecias.

Ndersa fakti që ky proces nuk u lejua nga Këshilli i Europës që të kryhej në asnjë vend tjetër që ka tentuar ta zbatojë(përfshirë edhe në Republikën e Kosovës), duhet të shërbejë, jo vetëm si pikë reflektimi për të evidentuar gabimet e lejuara në përzgjedhjen e antarëve mediokër, në përbërje të Instutucioneve të Rivlerësimit, por edhe për të pranuar shkeljet ulëritëse të garancive të neneve “D” dhe “F” të Aneksit të Kushtetutës, të cilat, edhe pse u formuluan sipas këshillave të ekspertëve të Venecias, nga mënyra arbitrare e zbatimit të tyre, përmbëjnë shëmbullin më të qartë, të mosrespektimit nga Shqipëria të opinioneve dhe rekomandimeve të Komisionit të Venecias për procesin e rivlerësimit të magjistratëve sipas qëllimit të pastrimit të sistemit nga ata që janë të paaftë, të korruptuar ose të lidhur me krimin e organizuar”.

Për rrjedhojë procesi i vettingut në Shqipëri përbën një dështim, jo vetëm sepse ka shkaktuar shqetësime të thella në jetën shpirtërore e familjare të, jo pak magjistratëve të përkushtuar, por edhe sepse ka sjellë pasoja për funksionimin normal të sistemit të drejtësisë dhe kolapsin e krijuar me çështjet që presin për gjykim, në raport me situatën që gjendej në kohën kur startoi ky proces, edhe me pëlqimin dhe këshillat e Komisionit të Venecia. Prandaj mënyrën se si u zhvillua procesi i vettingut dhe situata aktuale në sistemin e drejtësisë e shkaktuar nga shkarkimit arbitrare të magjistrateve, edhe nëqoftëse nuk sjellë trishtim dhe pendesë për “arkitektët “ dhe votuesit e saj, nuk mund të sjellë gëzim dhe kurrsesi nuk duhet t’i bëjë “krenarë” për “fitorjet e arritura”.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat