“Propozimi i ndërtimit të Bashkësisë Ndërkombëtare me të Ardhme të Përbashkët të Njerëzimit dhe rrënjët kulturore e filozofike kineze”
Propozimi i Kinës për ndërtimin e një “Bashkësie Ndërkombëtare me të Ardhme të Përbashkët për Njerëzimin”, një vizion i artikuluar nga Presidenti Xi Jinping, është një koncept synon të promovojë një rend më bashkëpunues në marrëdhëniet ndërkombëtare, të bazuar në respektin e ndërsjellë, zhvillimin e përbashkët dhe përballimin kolektiv të sfidave globale. Ai reflekton një qasje që thekson ndërvarësinë e shteteve në një botë gjithnjë e më të globalizuar.
Ky vizion mbështetet në një trashëgimi të thellë kulturore dhe filozofike, e cila ndikon në mënyrën se si konceptohet bashkëjetesa dhe bashkëpunimi mes kombeve, duke vënë në qendër parimet e harmonisë, respektit ndaj diversitetit, drejtësisë dhe zhvillimit të përbashkët.
Në këtë kontekst, Prof. Dr. Gjergji Sinani, pedagog i filozofisë, vjen me analizën e tij mbi këtë vizion dhe rëndësinë e tij në marrëdhëniet ndërkombëtare bashkëkohore.
Cili është dimensioni politik, ekonomik dhe filozofik i këtij propozimi, si dhe roliqë ai mund të luajë në zhvillimet globale të së ardhmes. Prof. Dr. Gjergji Sinani, pedagog i filozofisë, sjell analizën e tij për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) mbi këtë vizion dhe rëndësinë e tij në marrëdhëniet ndërkombëtare bashkëkohore.
Prof.Dr. Gjergj Sinani në intervistë për CMG
CMG: Profesor Sinani, si do ta përshkruanit thelbin e vizionit të “Bashkësisë Ndërkombëtare me të Ardhme të Përbashkët të Njerëzimit” dhe rëndësinë e tij për botën sot?
Prof. Dr. Gjergji Sinani: Në radhë të parë, kur diskutojmë për gjëra të tilla, natyrisht duhet të kemi parasysh edhe këndvështrimin filozofik. Në filozofinë perëndimore, për të gjykuar për një evolucion të caktuar historik, ajo gjykohet në tre akse kryesore: në raportin me njeriun, me kohën dhe me vlerat. Dhe një parim të çmuar metodologjik ne e gjejmë tek filozofi gjerman Wilhelm Dilthey, i cili ka një kontribut të rëndësishëm në filozofinë e historisë dhe ka një tezë të jashtëzakonshme ku flet për historinë dhe për shkencat shoqërore në përgjithësi, se cili duhet të jetë parimi metodologjik.
Në histori, po t’i kthehemi rastit tonë, nuk ka dhe aq rëndësi shpjegimi. Shpjegimi është pjesë përbërëse e çdo lloj shkence, por në histori rëndësi ka që të kuptohet e kaluara dhe jo thjesht të shpjegohet e kaluara. Dhe që të kuptojmë pyetjen që ju shtruat për këtë orientim të politikës kineze duhet që të shikojmë edhe pikërisht këto tre akse kryesore që përbëjnë edhe kulturën bazë, ose atë që Montesquieu e shprehte me një frazë shumë të bukur, “shpirtin e kombeve”, nga se karakterizohet shpirti i këtyre kombeve.
Sigurisht, unë do të ndalem tek filozofia, sepse filozofia nuk niset nga paragjykime, por përpiqet të kuptojë fenomenet shoqërore. Dhe unë po ju lexoj një gjë shumë interesante nga Hegeli. Hegeli ka, në veprat e tij të fundit, përveç atyre të mëdha, janë tre vepra të rëndësishme që janë filozofia e historisë, filozofia e fesë dhe filozofia e së drejtës.
Në leksionet në filozofinë e historisë, ai ndalet në të gjithë qytetërimet dhe ja çfarë thotë për Kinën.
Historia, sipas Hegelit, duhet të fillojë nga perandoria kineze, sepse është më e vjetra dhe që shkon shumë larg në histori, dhe sigurisht parimi i saj është ai i një substancialiteti që është për këtë perandori më e vjetra, por edhe më e reja. Dhe sigurisht ai ndalet gjerë e gjatë në këtë, dhe pyetja që shtrohet është se çfarë mund të mësojë njerëzimi nga filozofia kineze.
Dhe ky interesim është i hershëm, që jo thjesht Marko Polo (që njihet më shumë), por edhe më herët, dhe pastaj kemi interesin e jezuitëve, Matteo Ricci, që krijoi komunitetin e parë të krishterë në Kinë dhe që ka një vend të merituar në historinë kineze, sepse u përpoq të kuptonte pikërisht këtë shpirt. Dhe ky shpirt i një kombi, ku do ta gjejmë? Do ta gjejmë te filozofia, do ta gjejmë te letërsia, do ta gjejmë te e drejta, do ta gjejmë te kultura që e ka prodhuar, dhe në mënyrë të veçantë do ta gjejmë te filozofia e Konfucit.
Jo rastësisht, Volteri ka dy-tre kapituj për Kinën, dhe ai në fakt e glorifikon tej mase qytetërim kinez, sepse do që t’ia kundërvejë intolerancës që kishte në atë kohë në Europë e të tjera, dhe thotë që në një kohë që ne europianët jetonim në pyjet e Ardeneve, kinezët kishin gazetën e tyre. Pra, dua të theksoj se kjo filozofi ka shoqëruar zhvillimin ose formësimin e këtij shpirti, e cila sot gjen edhe një reflektim në synimet globale, të cilat gjenden edhe të shprehura fare mirë në atë programin e OKB-së për zhvillimin e qëndrueshëm deri në vitin 2030, ku Kina ka një rol të rëndësishëm në këtë zhvillim.
Statuja e Konfucit në qytetin Qufu, provincë Shandong, Kinë Lindore/Foto nga VCG
Për ta konkretizuar këtë lloj filozofie, unë do të sjell dy gjëra interesante që thotë Konfuci. Thotë: “Mençuria konsiston në njohjen e njerëzve, virtyti konsiston në të dashurit e tyre.” Për më tepër, ai u ka lënë edhe një porosi shumë interesante kinezëve, kur thotë: nëse kombet e huaja janë të pakënaqura nga ju, ju duhet të kultivoni virtytet qytetare dhe civile. Në këtë kontekst të përgjithshëm, ne duhet edhe ta shohim pikërisht këtë propozim, sepse, të themi, në vitin 1887 u zbuluan në Kinë disa artefakte që tregonin edhe për kulturën greke edhe për kulturën myslimane.
Pra bota, në një kohë, ku s’kishte lidhje, kjo lidhje që sot bëhet e mundur nga teknologjia, por ja që njerëzimi ka komunikuar me njëri-tjetrin. Pikërisht është në rrugën e këtyre karvaneve, këtyre lëvizjeve, ku njerëzit, duke ndaluar nën hije ose nën hane të ndryshme, ka përcjellë jo vetëm mallra.
Kanë përcjellë edhe ide, kanë përcjellë edhe kultura të ndryshme. Nuk është e rastësishme që, në shekullin e pestë para erës sonë, kemi dy figura të rëndësishme të historisë së mendimit botëror, që kanë një vend të veçantë, dhe Karl Jaspers e quan këtë periudhë si një periudhë boshtore e qytetërimit, sepse kemi Konfucin këtu në Kinë në Lindje, dhe në Greqinë antike kemi Sokratin, që lindi 10 vjet pas vdekjes së Konfucit. Dhe që të dyja këto filozofi shprehin të njëjtin shqetësim në lidhje me thelbin e natyrës njerëzore dhe, jo rastësisht, e vendosin theksin tek aspektet morale të njeriut.
Pra tek vlerat që ai duhet të vej dhe edhe Platoni, sepse Platoni e profilizoi Sokratin, por që të dy, si Konfuci, ashtu edhe Platoni, e shkruan filozofinë e tyre për ti folur drejtuesve të kombeve. Në qoftë se ata nuk karakterizoheshin nga virtyti, atëherë popujt do të ndodhen në vështirësi. Edhe Konfuci e shkroi për drejtuesit, filozofinë e tij me qëllim që ata të karakterizohen pikërisht nga virtyti dhe drejtimi.
Prof.Dr. Gjergj Sinani/Foto nga CMG
CMG: Ky vizion shpesh krahasohet edhe me modelet tradicionale të qeverisjes globale. Cilat janë dallimet kryesore dhe avantazhet që Kina propozon nëpërmjet kësaj nisme? Kur flasim sigurisht për nismën për bashkësinë ndërkombëtare me të ardhme të përbashkët për njerëzimin.
Prof. Dr. Gjergji Sinani: Po tashmë, problemet dhe shqetësimet janë bërë globale. Tashmë nuk janë shqetësime rajonale ose të vogla që lidhen me synimet ose kapriçot e princave të veçantë. Sot tashmë shqetësimet janë të gjithë njerëzimit. Pra që kanë të bëjnë me mirëqenien, që kanë të bëjnë me inovacionin, që kanë të bëjnë me ruajtjen e ambientit. Sot këto probleme janë bërë globale dhe jo rastësisht, në rrafshin teorik dhe në rrafshin juridik, flitet edhe për krijimin e një të drejte ndërkombëtare për çështjet e ambientit. Kjo sepse këto probleme tashmë prekin të gjithë njerëzimin dhe nuk prekin vetëm një rajon të veçantë.
Kjo iniciativë është në funksion të kësaj filozofie, të cilën kinezët e kanë treguar se nuk kanë pretenduar për hegjemonizëm në historinë e tyre, por kanë dashur pikërisht të përçojnë këtë sistem vlerash që ata mendojnë se i përgjigjet më mirë kushteve të tyre. Jo rastësisht, thelbi i filozofisë kineze ka të bëjë me rendin, me virtytin dhe me harmoninë.
Filozofia perëndimore karakterizohet më shumë nga kontradikta, pra tezë, antitezë dhe sintezë. Ndërsa këtu kemi një mendësi tjetër. Prandaj sot edhe studiuesit serioz kur bëjnë thirrje që përpara se të ndërmarrin politika të caktuara, duhet të kuptohet shpirti i kombeve me të cilat kemi të bëjmë. Sepse shpesh diletantizmi, sidomos në kushtet aktuale, bëhet tepër i rrezikshëm, i dëmshëm dhe prek tërë njerëzimin, nuk prek vetëm rajone të veçanta.
Bota e ndërlidhur/Foto nga VCG
CMG: Një iniciativë tjetër, që është më e hershme, “Një Brez, një Rrugë”, shpesh përmendet si një mjet zhvillimi brenda këtij vizioni. Duke qenë se edhe Shqipëria është pjesë e kësaj iniciative, si kontribuon ajo konkretisht në ndërtimin e kësaj bashkësie ndërkombëtare? Cilat do të ishin ato mundësi që edhe Shqipëria mund të përfitonte në saj të kësaj nisme?
Prof. Dr. Gjergji Sinani: Siç e theksova dhe më përpara, përpara rrugës së Mëndafshit ka ekzistuar “Rruga e Xhades” është një lloj gur i çmuar, 7000 vjet para Krishtit.
Në qoftë se në atë kohë, këto komunikime i shërbenin njohjes së njëri-tjetrit dhe në të njëjtën kohë ndërtimit të bashkësive të caktuara. Tashmë në këtë kohë kjo iniciativë e bën mëse të nevojshme që jo vetëm të shkëmbehen mallra, por edhe shkëmbim vlerash të caktuara. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse sot, për fat të keq, nuk flitet shumë për vlerat dhe merkantilizmi bën që shumë fenomene të reduktohen vetëm në konceptin e përfitimit. Por, siç ka paralajmëruar Tocqueville në veprën e tij e famshme “Demokracia në Amerikë”, nëse njerëzimi do të udhëzohet vetëm nga shpirti i përfitimit, shoqëritë do të përballen me probleme të mëdha në të ardhmen.
Pra ka edhe disa vlera të larta për të cilat duhet të punojë i gjithë komuniteti ndërkombëtar, jo thjesht kombe ose individë të caktuar.
CMG: Aktualisht, ndërsa informacioni është më i shpejtë dhe jetojmë në një kohë globale dhe digjitale, duket sikur kemi humbur disa nga vlerat thelbësore kulturore që dikur i shkëmbenim më natyrshëm në rrugët e gjata, siç ishte Rruga e Mëndafshit.
Prof. Dr. Gjergji Sinani: Po, është e vërtetë. Përmenda Tocqueville që thoshte që edhe demokracia ka nevojë për moralizim. Sepse ajo i detyron njerëzit që të mos i mbajnë sytë vetëm nga toka, por të shikojnë edhe nga qielli. Njeriu nuk duhet të udhëhiqet vetëm nga interesat materiale, por duhet të shikojë edhe nga vlera më të larta.
Montesquieu ka një vepër mbi shkaqet e madhështisë dhe rënies së Romës, dhe një nga arsyet pse ajo ra, siç thotë Montesquieu, është prirja drejt luksit dhe korrupsionit, që çoi në rënien e gjithë këtyre dinastive.
Kultura është ajo që i afron popujt dhe jo thjesht interesat egoiste, sepse nga egoizmi dhe shpirti i përfitimit nuk ka përfituar asnjë epokë në mënyrë të qëndrueshme.
CMG: Si mundet që vizioni i Bashkësisë Ndërkombëtare me të Ardhme të Përbashkët të Njerëzimit të adresojë sfidat globale, si ndryshimet klimatike, siguria dhe pabarazitë zhvillimore?
Një tren mallrash nis nga qyteti Zhengzhou të Kinës Qendrore drejt Evropës, 13 janar 2026/Foto nga VCG
Prof. Dr. Gjergji Sinani: Në fakt, kjo pyetje e juaja më vë në rolin e profetit, që është detyrë e vështirë. Analiza jonë mbështetet në këto paradigma që unë theksova në fillim dhe, duke njohur pikërisht këtë të kaluar që unë përmenda, kjo duhet të shërbejë, siç thuhet në filozofinë e historisë, për njohje më të mirë të vetes sonë. Sepse përmes këtyre shqetësimeve, luftërave, problemeve, njerëzimi është ngritur, thotë Kanti, gradualisht drejt formimit të një të drejte ndërkombëtare, dhe nëse njerëzimi arriti të formësonte një të drejtë ndërkombëtare me qëllim që kombet të mos cenonin njëri-tjetrin, tashmë është koha që qeveritë e përgjegjshme duhet të mendojnë pikërisht se si të parandalojnë që konfliktet, të cilat janë të pashmangshme sepse një shoqëri pa konflikte nuk ka zhvillim, por me rëndësi është që konfliktet të mos shkojnë në atë pikë që t’i vënë kombet përballë njëri-tjetrit dhe të rrezikojnë ekzistencën.
Sot teknologjia ka bërë të mundur edhe prodhimin e armëve të cilat kanë pasoja katastrofike dhe nuk janë si shigjetat apo harqet që dikur Mongolia fitoi përmes një harku të lakuar… sot nuk janë më harqet e lakuara, por sot janë armët bërthamore.
Kështu që kjo iniciativë duhet përkrahur me qëllim që të jenë përfitues të gjithë kombet në këtë zhvillim dhe në inovacion. Jo thjesht dikush të përfitojë, por me qëllim që të gjithë të dalin nga varfëria. Prandaj dhe pjesëmarrja e Kinës në programin e OKB-së për zhvillim të qëndrueshëm 2030 synon pikërisht për t’i nxjerrë vendet, në radhë të parë, nga varfëria dhe pastaj që ato të jenë përfituese të inovacionit.
CMG: Si e shihni rolin e Kinës në formësimin e një arkitekture të re ndërkombëtare të marrëdhënieve të bazuara mbi këtë filozofi dhe vizion?
Prof. Dr. Gjergji Sinani :Sigurisht, kjo është një iniciativë për t’u përshëndetur. Ka pasur një kohë kur Montesquieu dhe Voltaire janë një kritikë shumë interesante për sa i përket ekuilibrit të fuqive, dhe ata mendonin që kjo ishte një rrezik për historinë botërore që çonte në luftëra. Prandaj sot po përpiqen që të përpunohen doktrina të cilat të mos çojnë në këto përplasje, që quhen sot përplasje qytetërimesh.
Unë po ju sjell një libër që ka disa kohë që ka bërë bujë, i një autori, profesor në Harvard, “Fati i Luftërave”, i cili analizon rivalitetin ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës, dhe aty ai përdor konceptin “kurthi i Tukididit”. Tukididi, që flet për Luftën e Peloponezit, ka një ide të jashtëzakonshme aty, dhe ai niset nga kjo ide dhe thotë: kur një fuqi është dominuese dhe një tjetër në ngritje, historia e njerëzimit ka treguar që ato kanë shkuar në luftë. Ai analizon gjashtëmbëdhjetë raste në historinë e njerëzimit, ku katërmbëdhjetë prej tyre kanë shkuar në luftë. Ai i bën thirrje pikërisht përgjegjësisë së drejtuesve, me qëllim që këto rivalitete të mos çojnë, siç na thotë Tukididi, në përplasje, sepse nga këto nuk përfituan as Athina e as Sparta.
E solla këtë shembull për të treguar se filozofët që përmenda dhe kultura duhet t’i afrojnë popujt dhe jo thjesht interesat egoiste, sepse nga egoizmi dhe shpirti i përfitimit nuk ka përfituar asnjë epokë e caktuar.
Intervistoi: Marjana Doda



