Një marrëveshje strategjike me vlerë rreth 6 miliardë dollarë për furnizimin e Europës Jugore me gaz natyror të lëngshëm nga Shtetet e Bashkuara po shihet si një hap i rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit energjetik mes Shqipëria, Greqia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Projekti parashikon një partneritet afatgjatë 20-vjeçar dhe zhvillim të infrastrukturës energjetike në rajon, përfshirë edhe investime në territorin shqiptar, si pjesë e një korridori më të gjerë të furnizimit me gaz.
Në këtë kuadër, ambasadorja e SHBA-së në Greqi, Kimberly Guilfoyle, theksoi rolin e Shqipërisë si një partner të besueshëm dhe gjithnjë e më të rëndësishëm në rajon, duke e cilësuar vendin si një nyje në zhvillim në Ballkanin Perëndimor.
Ajo u shpreh se bashkëpunimi mes SHBA-së, Greqisë dhe Shqipërisë forcon sigurinë energjetike dhe stabilitetin rajonal, ndërsa marrëveshja përfaqëson një hap konkret drejt rritjes së zhvillimit ekonomik dhe sigurisë në sektorin energjetik.
Guilfoyle vlerësoi gjithashtu marrëdhëniet mes vendeve të rajonit, duke theksuar se Shqipëria dhe Greqia ndajnë interesa të përbashkëta sigurie dhe bashkëpunimi në rritje, ndërsa partneriteti trepalësh i shërben gjithë Ballkanit Perëndimor.
Marrëveshja përfshin edhe plane konkrete infrastrukturore, si rivitalizimin e qendrës energjetike në Vlorë, modernizimin e termocentralit ekzistues, rritjen e kapaciteteve gjeneruese me rreth 250 MW, si dhe ndërtimin e tubacionit Fier–Vlorë për lidhje me rrjetin kombëtar dhe rajonal të gazit.



