Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pranuar kërkesën e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, që të mos qëndrojë më në kafazin e sigurisë gjatë seancave gjyqësore, por të ndjekë procesin në sallën e gjyqit.
Beqaj kishte kërkuar që të ishte fizikisht i pranishëm në sallë gjatë gjykimit në themel të çështjes ndaj tij, kërkesë të cilën e kishte përsëritur disa herë në muajt e fundit.
Pas vendimit të gjykatës, ai do të marrë pjesë në seancat gjyqësore në kushte normale, ndërsa masa e sigurisë për mënyrën e qëndrimit gjatë procesit është ndryshuar në favor të tij.
Gjatë seancës, Beqaj ka bërë edhe një koment ironik ndaj avokatit të tij, Ermal Yzeiraj, duke thënë: “Kështu është kur nuk merresh vesh me avokatin 3 metra larg, salla me 5 yje”.
Seanca e radhës për çështjen është caktuar të zhvillohet më 21 maj.



