Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani, të cilin e cilësoi si “avokat privat të familjes së Edi Ramës” dhe njeri që “fshihet pas katër banesave luksoze, ndërsa pretendon se jeton me qira te vjehrri”.
Në një deklaratë të ashpër publike, Berisha u ndal në mënyrën si funksionon drejtësia në vend, duke thënë se sistemi i sotëm është kapur nga politika dhe shërben si mburojë për aferat e qeverisë Rama.
“Ky është bërë avokat privat i familjes së Edi Ramës dhe i vetë Edi Ramës. Avokat privat i aferave të tij! Nuk po ndalem në problemet e mia me të, i kam thënë edhe dje në Parlament. Po, janë katër shtëpi që disponon dhe thotë se paguan qira tek vjehrri. Jeton me qira tek vjehrri, ndërsa ka katër banesa!”, deklaroi Berisha.
Ish-kryeministri theksoi se në Shqipëri po shkatërrohet çdo balancë ligjore, pasi SPAK nuk funksionon si institucion i pavarur, por si instrument politik në duart e shumicës.
“Ky sistem është bërë i tmerrshëm. Ai (Dumani) është mbi ligjet, mbi Kushtetutën. Ai nuk mund të hetohet nga askush sepse është direkt i varur nga Edi Rama. Ne kemi depozituar kallëzime, por janë refuzuar. Ai nuk preket. Nëse do të kishte një drejtësi reale, hetimi ndaj tij do të kishte nisur me kohë,” tha Berisha.
Sipas kreut të opozitës, Dumanit i mungon transparenca lidhur me pasurinë e tij dhe mënyrën se si i ka siguruar katër pronat e deklaruara. Ai e akuzoi atë se ka mbyllur dosje që përfshijnë “miliarda euro të vjedhura qytetarëve shqiptarë”, ndërkohë që për ndjekësit e qeverisë drejtësia funksionon me shpejtësi të dyfishtë.
“Troplini ka një numër të kufizuar dosjesh, por ato janë dosjet e miliardave! Janë vetëm 0.3 përqind në numër, por janë ato që peshojnë më shumë. Ato janë dosjet e aferave të mëdha të qeverisë, që Dumani i mbyll siç do vetë,” shtoi Berisha.
Më tej, ai përmendi edhe një rast konkret që sipas tij tregon se kreu i SPAK është jashtë çdo kontrolli ligjor.
“Ai quhet Kreshnik Farruku. Është arrestuar nga Gjykata e Durrësit apo jo? Është marrë dosja e tij nga SPAK apo jo? Këto janë pyetje të thjeshta, që askush nuk guxon t’i trajtojë sepse Dumani është i paprekshëm,” theksoi Berisha.
Deklaratat e forta të kreut të PD vijnë në një moment kur opozita ka intensifikuar akuzat ndaj SPAK-ut, duke e cilësuar këtë strukturë si “e kapur nga qeveria” dhe “të përzgjedhur për të goditur kundërshtarët politikë të Ramës”.
Ndërkohë, nga ana e tij, Altin Dumani nuk ka reaguar ende ndaj këtyre akuzave, ndërsa SPAK vazhdon punën për disa çështje të mëdha që përfshijnë zyrtarë të lartë, si dosjet e inceneratorëve dhe hetimet për pasuritë e disa funksionarëve publikë.
Opozita paralajmëron se do të publikojë të tjera dokumente për pasurinë e kreut të SPAK në ditët në vijim.



