Reshjet e ditëve të fundit kanë sjellë efekte pozitive për Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), e cila ka arritur të shesë rreth 45,700 MWh energji elektrike për periudhën 17–23 nëntor. Energjia është shitur në tre lote, duke siguruar të ardhura prej rreth 4.53 milionë eurosh.
Kjo shumë i shtohet të ardhurave që KESH ka siguruar nga eksporti i energjisë në tre procedura të tjera të zhvilluara në fund të tetorit dhe gjatë këtij muaji, duke e çuar totalin në rreth 15 milionë euro.
Katër tenderët e zhvilluar për shitje energjie janë të parët për vitin 2025. Viti ka qenë i vështirë nga pikëpamja e prodhimit të energjisë, për shkak të mungesës së reshjeve, që ndikoi në prodhimin e hidrocentraleve të Kaskadës së Drinit. Për këtë arsye, KESH ka zhvilluar një sërë procedurash për blerje energjie, me një faturë totale importi që ka kaluar 160 milionë euro.
Krahasuar me vitin e kaluar, situata ka ndryshuar ndjeshëm: deri në gjysmën e parë të vitit 2024, KESH nuk kishte zhvilluar asnjë procedurë importi falë furnizimit të mjaftueshëm nga HEC-et e Drinit. Megjithatë, sistemi elektroenergjetik shqiptar mbetet i ndjeshëm ndaj kushteve klimatike, duke e bërë varësinë nga moti një faktor kyç në financat e sektorit.



