Prej orës 12:15, zv.kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku ndodhet në godinën e Kryeministrisë, ku po zhvillon një takim me Kryeministrin Edi Rama. Takimi vjen menjëherë pas vendimit të GJKKO, e cila urdhëroi pezullimin e saj nga detyra dhe bllokimin e pasaportës, duke mos i lejuar largimin jashtë vendit.
Në një lidhje live për News24, gazetari Ergys Gjençaj raportoi se Balluku ka të drejtë të apelojë vendimin e GJKKO-së, çka nënkupton se ligjërisht ajo mund të vijojë të qëndrojë në detyrë deri në një vendim të formës së prerë.
“Sa i përket anës morale, zonja Balluku duhet të japë dorëheqje nga të dy postet, si zv.kryeministre dhe si ministre e Infrastrukturës. Nëse ajo nuk e ndërmerr këtë hap, atëherë i takon kryeministrit që ta shkarkojë. Por nga ana ligjore, ajo mund ta apelojë vendimin dhe të vazhdojë detyrën deri në shqyrtimin e rekursit,” u shpreh Gjençaj.
Sipas tij, në orët në vijim pritet të zbardhen detaje të reja, ndërsa mbetet për t’u parë nëse GJKKO do të pranojë apo jo rekursin që pritet të paraqitet nga mbrojtja e Ballukut.
Ndërkohë, vëmendja mbetet te Kryeministria, ku takimi mes Ramës dhe Ballukut vazhdon të zhvillohet me dyer të mbyllura.



