back to top
2.5 C
Tirana
E shtunë, 17 Janar, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaGJKKO: Balluku rrezikon prishjen e provave

GJKKO: Balluku rrezikon prishjen e provave

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka publikuar arsyetimin e plotë të vendimit për pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut, e cila deri dje mbante funksionin e zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë. Vendimi vjen si pjesë e një procedure hetimore për disa procedura prokurimi, ku Balluku dhe zyrtarë të tjerë të institucioneve në varësi dyshohen për shkelje të ligjit.

Në vendim, GJKKO thekson se pozita e lartë shtetërore e Ballukut dhe të pandehurve të tjerë krijon rrezik real për ndërhyrje në prova dhe për vështirësim të hetimit. Sipas gjykatës, masa e pezullimit nga detyra është e domosdoshme për të garantuar mbarëvajtjen e hetimeve dhe për të shmangur cenimin e procesit.

Rreziku i largimit dhe përsëritjes së veprës

GJKKO argumenton se Balluku dhe të pandehurit e tjerë rrezikojnë t’i shmangen hetimit, duke marrë parasysh marzhin e dënimit të parashikuar për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, e cila parashikon nga 1 deri në 5 vite burgim. Sipas vendimit, dyshimet lidhen me kryerjen e veprës penale dy herë dhe në bashkëpunim, çka rëndon pozitën e tyre.

Gjykata nënvizon se për shkak të faktit që të pandehurit ushtronin funksione të larta ekzekutive, ekziston rrezik që ata të vijojnë të kryejnë shkelje të ngjashme, duke qenë se menaxhojnë fonde publike dhe procedura të tjera të rëndësishme të prokurimit.

Rreziku për cenimin e provave

Një nga pikat më të forta të arsyetimit të GJKKO lidhet me rrezikun e prishjes së provave. Në dokumentin e zbardhur thuhet se, për shkak të funksioneve të larta shtetërore, Balluku si dhe zyrtarët Gentian Gjyli (Drejtori i Përgjithshëm i ARRSH) dhe Frald Elezi (administrator i KESH-it), mund të ndërhyjnë në dokumentacion apo proceset që po heton SPAK.

“Ekziston mundësia që ata të ndërhyjnë dhe të ndikojnë në prishjen ose asgjësimin e provave, si dhe në krijimin e rrethanave që vështirësojnë mbledhjen e provave,” thuhet ndër të tjera në vendim. Gjykata thekson se organi procedues po verifikon një volum të madh dokumentesh të administruara nga institucionet që drejtohen nga të pandehurit, çka e rrit riskun e ndërhyrjes në proces.

Pezullimi nga detyra, masë për garantimin e hetimit

Duke u bazuar në këto rrethana, Gjykata e Posaçme ka vlerësuar se pezullimi nga detyra është masa e vetme e përshtatshme për të siguruar vijimin e qetë të hetimit penal.

Vendimi ndaj Belinda Ballukut dhe zyrtarëve të tjerë të përfshirë mbetet në fuqi deri në përfundimin e hetimeve. Ndërkohë, SPAK vijon verifikimet për procedurat e prokurimit që kanë ngritur dyshimet për shkelje të ligjit në institucionet e infrastrukturës dhe energjisë.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat