Administrata Tatimore ka bërë publike pagat referuese për sektorin e ndërtimit dhe u ka bërë thirrje kompanive dhe ndërtuesve që të deklarojnë saktë dhe në mënyrë të plotë pagat e punonjësve. Qëllimi është shmangia e kontrolleve të thelluara dhe masave administrative që parashikon ligji për shmangien e informalitetit.
Tatimet vlerësojnë se në këtë sektor nuk do të ketë paga më të ulëta se 80 mijë lekë në muaj për punonjësit mbështetës, si riparuesit, punëtorët e llaçit, dur alumini etj. Për teknikët, paga minimale referuese është 100 mijë lekë, ndërsa inxhinierët do të paguhen mes 115 dhe 150 mijë lekë. Referenca më e lartë është për operatorin e vinçit, 160 mijë lekë.
Analiza e riskut për shmangien e pagesës reale do të krahasojë pagat e deklaruara me pagat indikative sipas tabelës së Tatimeve. Fokus i veçantë do të ketë dhjetori 2025 e në vijim tek subjektet që:
Deklarojnë paga më të ulëta se pagat indikative,
Ndryshojnë artificialisht nivelin e pagës duke modifikuar profesionin e punonjësve.
Administrata Tatimore thekson se respektimi i pagave referuese është i detyrueshëm dhe çdo shkelje do të çojë në kontrolle të thelluara dhe masa ligjore ndaj subjekteve që nuk i përmbushin obligimet.



