Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Myslim Murrizi, ka shprehur zhgënjimin e tij lidhur me tubimin e organizuar një ditë më parë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha.
Murrizi theksoi se ajo që u paraqit si protestë nuk e përmbushi funksionin e saj dhe u shndërrua thjesht në një aktivitet politik të orkestruar. Sipas tij, tubimi duhej të kishte zgjatur më shumë dhe të kishte një ton më të ashpër, në përputhje me pritshmëritë dhe deklaratat e mëparshme brenda strukturave të partisë.
“Të jem i sinqertë. Unë atë të djeshmen nuk e pashë protestë, ishte tubim politik. Duhej të zgjaste më shumë dhe të ishte më i ashpër. Në Këshill Kombëtar u kërkua ashpërsim, por nuk u realizua. Dy orë para, do ta rrëzojmë, do ta shkulim dhe vjen aty dy orë, flasin disa njerëz që nuk kanë staturë. Nëse do të fliste një fjalë motivuese, duhet të fliste vetëm Berisha”, tha Murrizi për Top News.
Ai shtoi se pretendimet për ngritjen e tubimit si protestë u shfrytëzuan si spektakël, duke krijuar një pritshmëri të lartë që nuk u përmbush. Murrizi e konsideron këtë si një gabim të Berishës dhe të bashkëpunëtorëve të tij brenda partisë.



