Ish-presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka depozituar një kallëzim penal pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Klevis Qose. Kallëzimi është bërë për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, si dhe për shkelje të të drejtave dhe abuzim me masat e arrestit personal.
Sipas raportimit të gazetares së Top Channel, Anila Hoxha, Meta kërkon nga SPAK regjistrimin e procedimit penal, zhvillimin e një hetimi të plotë mbi veprimet dhe mosveprimet e zyrtarit të lartë, si dhe verifikimin e përgjegjësisë së tij penale.
Në dokumentin drejtuar Prokurorisë së Posaçme, Meta pretendon se nga tërësia e veprimeve të kryera, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve ka konsumuar disa vepra penale të parashikuara nga Kodi Penal. Konkretisht, ai përmend shpërdorimin e detyrës sipas nenit 248, kryerjen e veprimeve arbitrare sipas nenit 250, mosmarrjen e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme sipas nenit 251, si dhe shkeljen e barazisë së shtetasve sipas nenit 253.
SPAK pritet të shqyrtojë kallëzimin dhe të vendosë nëse do të regjistrojë procedim penal lidhur me akuzat e ngritura nga ish-presidenti.



