Për shkak të fenomeneve meteorologjike të regjistruara mbi dhe në afërsi të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, dy fluturime në ardhje, mbrëmjen e datës 5, janë detyruar të devijojnë drejt aeroportit të Barit, pasi nuk ishte e mundur të vijonin uljen në kushte të sigurta.
Sipas njoftimit zyrtar, edhe gjatë ditës së sotme janë shënuar fenomene meteorologjike të lokalizuara në zonat pranë aeroportit. Stafet e Albcontrol kanë akomoduar të gjitha kërkesat e pilotëve për të shmangur këto fenomene gjatë fazave të fluturimit, duke garantuar sigurinë ajrore.
Për shkak të devijimeve të shkaktuara nga kushtet e motit, mund të ketë vonesa në fluturimet e planifikuara për sot.
Albcontrol bën me dije se po ndjek situatën në mënyrë të vazhdueshme, me qëllim garantimin e ofrimit të sigurt dhe të pandërprerë të shërbimeve të lundrimit ajror.



