Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” lidhur me situatën në akset rrugore të vendit, pas motit të keq që ka përfshirë Shqipërinë prej ditësh.
Rama ka bërë me dije se gjatë natës të gjitha njësitë operative kanë qenë në terren, përfshirë ekipet e bashkive, Emergjencat Civile lokale, Forcat e Armatosura, ekipet mjekësore dhe Policia e Shtetit, të cilat kanë qenë në gatishmëri të plotë për përballimin e situatës.
Sipas kryeministrit, reshjet e shiut kanë vijuar gjatë natës, ndërsa dëbora ka përfshirë zonat veriore dhe juglindore të vendit. Prezencë dëbore është raportuar në disa akse rrugore në rajonin verior, qendror dhe jugor.
Në rajonin verior, dëbora ka përfshirë akse si Bajram Curri–Valbonë, Ura Bujan–Qafë Morinë, Kukës–Shishtavec, Pukë–Fushë Arrëz, Bogë–Theth, Qafë Mali–Fushë Dukagjin, Bulqizë–Qafë Bualli–Peshkopi, Hani i Hotit–Vermosh, si dhe segmente të tjera malore.
Në rajonin qendror, reshje dëbore janë shënuar në Surrel–Qafë Priskë–Qafë Mollë, Elbasan–Gjinar dhe Ibë–Kërrabë–Elbasan.
Ndërsa në rajonin jugor, dëbora ka prekur akse si Llogara, Qafë Thanë, Korçë–Voskopojë, Boboshticë–Dardhë, Korçë–Ersekë dhe Ersekë–Leskovik.
Kryeministri thekson se kontraktorët janë në terren 24 orë në ditë, me mjete dhe punëtorë, për pastrimin dhe mirëmbajtjen e akseve rrugore.
Rama u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të qarkullojnë vetëm për udhëtime esenciale, për të garantuar sigurinë dhe për të lehtësuar punën e ekipeve në terren. Ai ka theksuar se përdorimi i gomave dimërore është i detyrueshëm për automjetet që lëvizin në zonat malore ose në akset ku ka prezencë dëbore dhe ngricash.



