back to top
14.5 C
Tirana
E martë, 21 Prill, 2026
spot_img
KreuAktualitetRama për RTSH/ "Duhet mbyllur, privatizuar ose reformuar rrënjësisht"

Rama për RTSH/ “Duhet mbyllur, privatizuar ose reformuar rrënjësisht”

Kryeministri Edi Rama ka shprehur pakënaqësinë e tij të fortë ndaj mënyrës se si po menaxhohet Radio Televizioni Shqiptar, duke e cilësuar bilancin e institucionit si një “dështim të suksesshëm”.

Në një konferencë për shtyp, Rama u shpreh se RTSH ka humbur misionin e tij si televizion publik, duke shtuar se ai vetë nuk e ndjek këtë kanal prej vitit 1990.

“Ne kemi tentuar të krijojmë kushtet që RTSH të reformohet dhe kemi dështuar me suksesin më të plotë. Nga borxhi në borxh dhe nga mospërfillja e publikut në mospërfillje. Sot nuk kemi televizion publik në Shqipëri, kemi thjesht një kanal,” deklaroi Rama.

Kryeministri tha se intervistat e dhëna në RTSH nuk kanë pasur asnjë ndikim, duke theksuar mungesën totale të audiencës.

“Hera e fundit që e kam parë ka qenë në vitin 1990. Kam qenë i ftuar, por jashtë studios nuk më ka parë askush. Janë të vetmet intervista pas të cilave nuk marr asnjë mesazh,” u shpreh ai.

Rama theksoi se drejtuesit e RTSH nuk kanë marrë kurrë ndërhyrje apo mesazhe nga ana e tij, ndërsa kritikoi faktin që televizione të tjera private, me buxhete më të ulëta, arrijnë rezultate shumë më të mira.

Ai u ndal edhe te kërkesat e RTSH për të transmetuar ndeshjet e Kombëtares, duke deklaruar se nuk do të jepet asnjë fond nga taksat e qytetarëve pa merituar më parë këtë të drejtë.

“Nuk do të japim asnjë lek nga taksat e shqiptarëve deri kur RTSH ta meritojë. Çdo opsion duhet të jetë në tryezë: mbyllja përfundimtare, privatizimi, partneriteti, gjithçka, përveç kësaj gjendjeje që është sot,” tha Rama.

Në fund, kryeministri u distancua nga çdo përfshirje në tentativa për rregullimin e mediave, duke theksuar se nuk do të marrë pjesë në asnjë proces që synon ndërhyrjen në median publike apo atë private.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat