Dogana shqiptare pritet të funksionojë së shpejti përmes një Dritareje të Vetme Kombëtare Doganore, pas hedhjes për konsultim publik të projektligjit që parashikon krijimin dhe vënien në funksionim të këtij sistemi të ri elektronik.
Projektligji përcakton rregullat për bashkëpunimin elektronik dhe shkëmbimin e të dhënave ndërvepruese ndërmjet autoriteteve doganore dhe institucioneve të tjera kompetente, për mallrat që hyjnë dhe dalin nga territori doganor i Republikës së Shqipërisë. Sistemi synon që dokumentacioni i nevojshëm të dorëzohet në mënyrë të standardizuar dhe sipas parimit “vetëm një herë”, duke shmangur procedurat e përsëritura dhe burokracinë.
Sipas draftit, Dritarja e Vetme Kombëtare përkufizohet si një mekanizëm që u mundëson subjekteve të tregtisë dhe transportit të depozitojnë elektronikisht, vetëm një herë, informacionin e kërkuar, për të përmbushur të gjitha kërkesat rregullatore që lidhen me importet, eksportet dhe tranzitin e mallrave.
Zbatimi i këtij sistemi do të krijojë një mjedis tërësisht elektronik, duke konvertuar dokumentacionin në letër në dokumente dhe të dhëna digjitale, çka pritet të përshpejtojë ndjeshëm proceset doganore dhe qarkullimin e informacionit.
Financimi dhe kostot
Sipas projektligjit, faza e ndërtimit dhe implementimit të sistemit do të financohet nga një kredi e Bankës Botërore (IBRD) në vlerën 5.9 milionë dollarë. Pas përfundimit të implementimit, sistemi do të kërkojë një fond operativ vjetor prej rreth 1.36 milionë dollarësh.
Drafti parashikon dy opsione për mbulimin e këtyre shpenzimeve:
Mbulesë e plotë nga Buxheti i Shtetit, ose
Vetëfinancim përmes tarifave, përfshirë:
25 USD tarifë regjistrimi njëherë
50 USD abonim vjetor tarifa për transaksione doganore
integrimin gradual të tarifave ekzistuese për licenca, leje dhe certifikata (LPCO), të cilat aktualisht gjenerojnë rreth 2.7 milionë dollarë në vit për buxhetin e shtetit.
Përfitimet e Dritares së Vetme Doganore
Sipas projektligjit, kjo nismë sjell një sërë përfitimesh konkrete, duke garantuar:
administrim më të mirë të procedurave në kufi
ulje të korrupsionit dhe tregtisë së paligjshme
reduktim të kontakteve fizike dhe të mundësive për mitdhënie
lëvizje më të shpejtë të mallrave
rritje të transparencës dhe llogaridhënies
zhdoganim më të shpejtë
përdorim më efikas të burimeve
ulje të kostove për bizneset dhe administratën publike
Kjo është hera e parë që në Shqipëri financohet një projekt i tillë në funksion të doganës elektronike, si pjesë e reformës për digjitalizimin dhe modernizimin e shërbimeve doganore, me synimin për të ulur burokracitë administrative dhe kostot e transaksioneve tregtare gjatë procedurave të import-eksportit dhe tranzitit të mallrave.



