Në një kohë kur rreth 40% e shqiptarëve kanë emigruar gjatë tre dekadave të fundit, qeveria shqiptare ka ndërmarrë një sërë nismash për të mbushur boshllëkun në tregun e punës dhe për të siguruar fuqinë punëtore të nevojshme për ekonominë.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, gjatë një takimi me Këshillin Kombëtar të Punës, bëri me dije se po nënshkruhen marrëveshje me vende të treta për rekrutimin e punonjësve, duke përfshirë vende si Filipinet dhe Nepali, të cilat zakonisht ofrojnë staf për sektorë të ndryshëm të ekonomisë.
“Po punojmë për të lehtësuar procedurat ligjore dhe për të thjeshtuar procedurat e marrjes së stafit nga jashtë, sidomos nga vendet e treta,” tha ministrja Ibrahimaj.
Ajo shtoi se një tjetër pikë e rëndësishme është rritja e tavanit të pagave, një hap i domosdoshëm në përputhje me kriteret e Bashkimit Evropian, që do të ndihmojë në tërheqjen e punonjësve dhe forcimin e tregut të punës në vend.
Qeveria shpreson që këto nisma të kontribuojnë në stabilizimin e tregut të punës dhe në përmbushjen e nevojave të ekonomisë për një krah të qëndrueshëm punonjësish.



