ETLEVA SKONJA
Një email i publikuar së fundmi nga dosjet e Jeffrey Epstein ka hedhur dritë mbi një dimension të errët të kontakteve ndërkombëtare me Shqipërinë. Më 25 maj 2012, Thorbjørn Jagland, ish-Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, i dërgoi një mesazh financuesit të ndjerë.
“Kam qenë në Tiranë, vajza të jashtëzakonshme.” Komenti i shkurtër vjen vetëm një ditë pas vizitës zyrtare të Jagland në kryeqytetin shqiptar.
Vizita e Jagland kishte një axhendë institucionale. Takime me kryeministrin Sali Berisha, presidentin Bamir Topi dhe ministrin e Jashtëm të kohës, Edmond Haxhinasto, si pjesë e mbikëqyrjes së demokracisë dhe të drejtave të njeriut nga Këshilli i Europës. Por email-i i publikuar tregon një tjetër prioritet. Interes personal mbi vajzat e reja Tiranës, në vend të çështjeve serioze politike dhe sociale.
Pyetja që lind natyrshëm është se kush i afroi këto vajza zyrtarit të lartë europian? Dhe më e rëndësishmja, përse politika shqiptare duket shpesh e fokusuar tek imazhi i jashtëm dhe miratimi ndërkombëtar, në vend të mbrojtjes së qytetarëve dhe zbatimit të ligjit?
Ky incident rrit shqetësimet për besueshmërinë e ndërkombëtarëve që Shqipëria i sheh si udhëheqës dhe partnerë strategjikë. Nëse një zyrtar i lartë i një institucioni paneuropian ka më shumë interes për vajzat e reja, sesa për problemet reale të vendit si korrupsionin, kapjen e shtetit apo krimin e organizuar, cila është e siguria që politika shqiptare mund t’i besojë kritikave, sugjerimeve dhe mbështetjes së tyre?
Në të njëjtën kohë, publikimi i dosjeve të Epstein ka nxjerrë në pah rrjetet e fshehta dhe lidhjet e dyshimta, që mund të përfshijnë individë të lartë nga politika shqiptare dhe institucione ndërkombëtare, duke vënë në diskutim jo vetëm etikën e individëve, por edhe integritetin e marrëdhënieve diplomatike.
Çfarë mësojmë nga ky email? Qytetarët shqiptarë dhe institucionet duhet të jenë skeptikë ndaj deklaratave ndërkombëtare që duket se vendosin interesin e tyre mbi prioritetet reale të vendit. Interesi i publikut dhe siguria e qytetarëve nuk duhet të zëvendësohet nga komente personale të zyrtarëve të lartë, edhe kur vijnë nga institucionet më të rëndësishme të Europës.
Ky rast është një thirrje alarmante për politikën shqiptare. Të mos u japë besim të verbër ndërkombëtarëve, por të kërkojë transparencë, llogaridhënie dhe respekt për qytetarët.



