Gjykata Administrative e Tiranës ka rrëzuar kërkesën për sigurimin e padisë të paraqitur nga aktorja Anila Bisha, e cila kërkonte pezullimin e përdorimit të avatarit qeveritar “Diella” deri në përfundim të gjykimit.
Padia e Bishës është ngritur kundër AKSHI-t, Këshilli i Ministrave, një kompanie private dhe kryeministrit Edi Rama, lidhur me pretendimin se imazhi dhe zëri i saj janë përdorur pa miratim për krijimin e avatarit digjital.
Çështja u shqyrtua nga gjyqtari Armand Shkurta, i cili vendosi të mos pranojë kërkesën për pezullim të menjëhershëm, duke lënë që procesi gjyqësor të vijojë në themel.
Aktorja kërkon gjithashtu dëmshpërblim prej 1 milion eurosh për prishje imazhi, duke argumentuar se kishte një kontratë që parashikonte përdorimin e imazhit të saj vetëm si asistente virtuale për shërbimet në e-Albania, dhe jo për rolin e “ministres” Diella.
Sipas saj, krijimi i avatarit është bërë pa miratim paraprak dhe pa dijeninë e saj, ndërsa prezantimi publik i Diellës në shtator 2025 e ka gjetur të papërgatitur, pasi ka konstatuar se avatari ishte ndërtuar mbi tiparet e saj identifikuese.
Bisha kërkon që deri në përfundim të procesit të ndalohet përdorimi i të dhënave të saj personale, duke e cilësuar situatën si krijim të një “duplikati digjital” në kundërshtim me ligjin.



