Dy banorë që po protestojnë për pronat e tyre në Rrjoll kanë mbetur të lënduar gjatë përplasjes me efektivët e policisë dhe janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore.
Njëri prej tyre tha për mediat se efektivët e policisë e kanë tërhequr zvarrë, duke i shkaktuar dëmtime në këmbë dhe qafë. Ai raportoi gjithashtu se gjatë protestës së një dite më parë, policët kanë goditur edhe të birin me gur.
“Si çdo ditë po shkojmë te tokat tona, te tokat që na kanë lënë të parët, baballarët e gjyshërit tanë. Policia ishte bërë gardh, nuk të lejon as të shkelësh me këmbë. Ata po na rrethojnë dhe nuk na lejojnë as të ecim. Edhe dje djali im e kanë goditur me grushte, edhe sot. Na kanë gjuajtur me gurë, na janë hedhur në fyt, në mënyrën më makabre të mundshme. Dy persona janë dëmtuar rëndë. Do vazhdojmë pa ndalim, deri kur të dali e drejta,” tha ai, duke shtuar se protesta e tyre nuk ka për qëllim përplasje me shtetin, por vetëm kërkesën e drejtësisë për pronat e tyre.
Një tjetër i lënduar deklaroi se gjatë protestës është goditur disa herë me gur nga një efektiv policie, duke pësuar dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit. Ai theksoi se protesta nuk do të ndalet dhe akuzoi policinë se ka marrë anën e palës tjetër në konflikt.
“Si çdo ditë edhe sot shkojmë te tokat tona dhe nuk na lejojnë, sikur jemi prej Kabuli. Policia është 100% me palën tjetër. Ku është shteti? Për dy të ballit, asnjë nuk na ka gjet deri më sot, por më zi do të bëhet. Sa dolëm te tokat, policia duke na ofenduar, duke na shtyrë, më kapi njëri dhe më ka goditur me gur në këmbë, shpinë dhe gjoks. Jena dëmtuar dy veta. Nuk kam parë gjë të tillë, vetëm në Shqipëri,” tha ai për mediat.
Protestat e banorëve në Rrjoll vazhdojnë, ndërsa ata kërkojnë drejtësi për pronat e tyre, duke paralajmëruar se nuk do të ndalen derisa të zgjidhet çështja.



