back to top
12.5 C
Tirana
E mërkurë, 4 Mars, 2026
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaRritet nafta/ Nis monitorimi i operatorëve të tregut

Rritet nafta/ Nis monitorimi i operatorëve të tregut

Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar nisjen e monitorimit të tregut të karburanteve në vend, si në tregtinë me shumicë ashtu edhe në atë me pakicë, me fokus të veçantë tek çmimet e benzinës dhe naftës në pikat e shitjes me pakicë. Ky veprim vjen në një moment kur çmimet e naftës kanë shënuar rritje të ndjeshme në tregun vendas, në reflektim të zhvillimeve të fundit në tregjet ndërkombëtare.

Sipas njoftimit zyrtar, monitorimi mbështetet në ligjin nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” dhe synon të garantojë që çmimet në Shqipëri të ndjekin logjikën e tregut ndërkombëtar, duke parandaluar praktikat e mundshme jo konkurruese që mund të dëmtojnë konsumatorët.

Autoriteti bën me dije se të gjitha ndërmarrjet që ushtrojnë veprimtarinë e tregtimit të karburanteve janë aktualisht nën monitorim. Në rast se evidentohen luhatje çmimesh që tejkalojnë masën e ndryshimeve në bursat ndërkombëtare, institucioni paralajmëron se do të ndërmarrë masat e nevojshme sipas kompetencave ligjore.

Në njoftim theksohet se çmimet e karburanteve në tregjet ndërkombëtare përditësohen vazhdimisht, duke reflektuar faktorë si oferta dhe kërkesa globale, kostot e përpunimit, si dhe zhvillime ekonomike apo gjeopolitike. Si rrjedhojë, sipas standardeve të konkurrencës së ndershme, pritet që edhe luhatjet e çmimeve në tregun vendas të jenë proporcionale me ato që regjistrohen në bursë.
Çdo devijim i pajustifikuar – qoftë përmes rritjeve më të shpejta apo më të theksuara se ecuria ndërkombëtare – konsiderohet tregues i mundshëm i sjelljeve jo konkurruese. Autoriteti nënvizon se nuk do të tolerojë asnjë formë koordinimi të çmimeve, abuzimi me pozitën dominuese apo praktikash të bashkërenduara mes operatorëve të tregut.

Rritje e menjëhershme e çmimit të naftës

Ndërkohë, në terren ka nisur të reflektohet rritja e çmimit të naftës me 4 lekë për litër në disa pika të shitjes me pakicë. Çmimi maksimal ka arritur në 179 lekë për litër, nga 175 lekë që ishte një ditë më parë.

Shtrenjtimi ka ardhur vetëm pesë ditë pas përshkallëzimit të tensioneve në Lindjen e Mesme dhe bllokimit të lëvizjes në ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret kryesore të furnizimit global me naftë. Këto zhvillime kanë ndikuar drejtpërdrejt në tregjet ndërkombëtare, ku një fuçi naftë në bursën europiane tregtohet aktualisht me rreth 83 dollarë, nga 65 dollarë që kuotohej një javë më parë.

Rritja e çmimeve ishte paralajmëruar më herët edhe nga Shoqata e Hidrokarbureve, e cila argumentoi se lëvizjet në bursat ndërkombëtare do të reflektoheshin edhe në tregun vendas.

Garanci për transparencë dhe mbrojtje të konsumatorit

Me nisjen e këtij procesi monitorimi, Autoriteti i Konkurrencës synon të garantojë transparencë, funksionim të rregullt të tregut dhe mbrojtjen e konsumatorëve nga çmime të padrejta apo sjellje që cenojnë konkurrencën.

Institucioni sqaroi gjithashtu se të gjitha monitorimet dhe procedurat e mundshme hetimore kryhen ekskluzivisht në zbatim të ligjit për mbrojtjen e konkurrencës dhe nuk ndërthuren me kompetencat e institucioneve të tjera ligjzbatuese në vend.

Zhvillimet në ditët në vijim pritet të tregojnë nëse rritja e çmimeve në tregun vendas do të jetë në përputhje me trendin ndërkombëtar apo nëse do të ketë ndërhyrje konkrete nga autoritetet për të garantuar konkurrencë të ndershme.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat