Pas humbjes prej 130 milionë eurosh ndaj biznesmenit italian Françesko Beketi, qeveria e Edi Rama përballet me një tjetër sfidë financiare serioze. Një gjykatë federale në Uashington, DC ka vendosur se kompania Omni Bridgeway ka të drejtë të sekuestrojë asetet e qeverisë shqiptare, pas një vendimi arbitrazhi që vlen 13 milionë dollarë.
Qeveria shqiptare kishte injoruar vendimin e arbitrazhit për vite me radhë, por tani gjykata amerikane ka dhënë “dritën jeshile” për konfiskimin e pasurive që i përkasin shtetit shqiptar. Ky rast përforcon shqetësimet mbi menaxhimin e çështjeve ndërkombëtare të arbitrazhit dhe kostot që burojnë prej moszbatimit të vendimeve të huaja.
Kjo humbje vjen pas rastit te Françesko Beketit, i cili nisi sekuestrimin e llogarive shqiptare në Eurocontrol pas një vendimi arbitrazhi të dhënë në Zvicër në vitin 2020. Ekspertët vlerësojnë se fatura e gjyqeve arbitrazhi për shkak të moszbatimit të vendimeve të mëparshme tashmë ka kaluar 200 milionë dollarë, ndërsa ka edhe procese të tjera në pritje të vendimeve përfundimtare.
Pasojat mund të ndikojnë në besueshmërinë e Shqipërisë në marrëdhëniet ekonomike dhe investuese me kompanitë e huaja, veçanërisht në sektorët ku ka koncensione dhe kontrata afatgjata.



