Pëllumb Seferi, Drejtor pranë Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Policinë e Shtetit, është një nga kandidatët e mundshëm për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.
Ai ka kaluar procesin e vetingut në vitin 2020, ku gjatë rivlerësimit janë konstatuar disa probleme në deklarimin e pasurisë, ndërsa në dy kriteret e tjera rezultoi i pastër dhe me një karrierë të gjatë 22-vjeçare në polici.
Sipas Komisionit të Vetingut, problemet kanë të bëjnë me dy banesa të blera nga Seferi: një apartament 1+1 në vitin 2003 dhe një 2+1 në vitin 2010. Për apartamentin e parë, Seferi kishte deklaruar se fondet vinin nga një bursë studimi në Itali, hua nga kunati dhe kursime familjare.

Relatorja e çështjes, Kozeta Ndoji, evidentoi se dokumentacioni për bursën dhe huanë nga kunati mungonte dhe se burimi i huasë nuk ishte i ligjshëm, pasi para vitit 2000 kunati kishte punuar në mënyrë joformale.
Për apartamentin e dytë, blerja u financua gjithashtu me huatë që nuk ishin të dokumentuara sipas Komisionit. Në kuadër të një praktike të re, Seferi pati mundësinë të thërrasë katër dëshmitarë për të sqaruar burimin e parave, të cilët dhanë shpjegime mbi huatë dhe kursimet familjare që ishin përdorur për blerjen e banesave.
Në procesin e vetingut, Seferi u përfaqësua nga avokati Fran Rista, por deklaroi se do të mbrohej edhe vetë gjatë seancës dëgjimore. Trupa vlerësuese për rivlerësimin e tij përbëhej nga Ana Kapaj (kryesuese), Kozeta Ndoji (relatore) dhe Marjeta Gjelaj (anëtare).
Komisioni vlerësoi se, përveç pasurisë, Seferi rezulton i pastër në kriteret e pastërtisë së figurës dhe aftësive profesionale, duke reflektuar një karrierë të gjatë dhe të konsoliduar në Policinë e Shtetit. Ky rivlerësim vjen në një kohë kur drejtimi i Përgjithshëm i Policisë është objekt diskutimesh dhe kandidimi i Seferit ngjall interes, për shkak të eksperiencës së tij në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe drejtimin e njësive të larta brenda policisë.
Pse SPAK e la jashtë BKH-së?/ Idajet Faskaj sërish në garë për drejtimin e Policisë
Kandidati për kryepolic nuk ka kaluar kontrollin e integritetit/ Emri
Loja me Vettingun/ Cili drejtor e ndihmoi Elidon Çelën që të mos hetohet?
Garë e nxehtë për kreun e Policisë së Shtetit/ Kush do të marrë drejtimin?



