back to top
17.5 C
Tirana
E diel, 15 Mars, 2026
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaRritja e çmimeve të naftës/ Rama: Nuk do të rrimë duarkryq

Rritja e çmimeve të naftës/ Rama: Nuk do të rrimë duarkryq

Kryeministri Edi Rama ka folur për rritjen e çmimeve të naftës në tregun vendas, duke paralajmëruar kontrolle dhe verifikime të vazhdueshme për të monitoruar situatën dhe për të shmangur abuzimet.

Gjatë podcastit të tij “Flasim”, Rama theksoi se qeveria nuk do të qëndrojë pasive përballë luhatjeve të çmimeve dhe se institucionet përgjegjëse do të ndjekin nga afër çdo ndryshim në tregun e karburanteve. Sipas tij, rritja e çmimeve do të jetë nën vëzhgim të vazhdueshëm përmes mekanizmave të kontrollit dhe analizës së tregut.

Kreu i qeverisë bëri të ditur se po punohet për krijimin e një mekanizmi shtetëror që do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në tregun e brendshëm të naftës. Ky mekanizëm, sipas Ramës, do të ketë rol stabilizues dhe do të synojë rritjen e transparencës në përcaktimin e çmimeve, si dhe garantimin e furnizimit të qëndrueshëm me karburant.

“Nuk do të rrimë duarkryq përballë kësaj situate dhe siç e kam deklaruar edhe më parë, jemi në momentin kur do të finalizojmë krijimin e një faktori shtetëror me impakt në tregun e brendshëm të naftës. Ky faktor do të luajë rolin e stabilizuesit të tregut, do të ndikojë në rritjen e transparencës së çmimit dhe do të garantojë furnizimin në treg”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se ky mekanizëm do të mbështetet edhe nga një kapacitet i rëndësishëm financiar përmes garancisë sovrane, çka sipas tij do të ndihmojë në përballimin e situatave të paparashikuara në tregjet ndërkombëtare të energjisë.

Deklaratat e kryeministrit vijnë në një moment kur çmimet e karburanteve në tregjet ndërkombëtare kanë shfaqur luhatje të ndjeshme, ndërsa qeveria shqiptare ka paralajmëruar masa për të mbajtur nën kontroll ndikimin e tyre në ekonominë e vendit dhe në xhepin e qytetarëve.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat