Mëngjesin e sotëm, disa pika karburanti në Tiranë raportuan rritje të çmimit të naftës me 6 lekë, duke e çuar atë në 199 lekë për litër, niveli më i lartë që nga nisja e konfliktit në Lindjen e Mesme.
Krahasuar me çmimin para nisjes së luftës, rritja është 24 lekë për litër, ose 14% më shumë. Prej 11 marsit, kur çmimi i naftës arriti në 193 lekë për litër, çmimi ka pësuar disa ndryshime, duke reflektuar luhatjet e tregjeve ndërkombëtare.
Rritja është evidentuar në pika të ndryshme karburanti në Tiranë, përfshirë kompanitë “Elda” në zonën e Bërryli dhe “Bolv Oil” pranë Pazarit të Ri. Punonjësit raportuan se ndryshimi u aplikua që nga mëngjesi i sotëm.
Shoqata e Hidrokarbureve shpjegon se çmimi i naftës është produkt tregtues ndërkombëtar dhe çmimi i pakicës reflekton luhatjet e bursave të huaja. Në bursat ndërkombëtare, çmimi i naftës “Brent Crude” ka arritur 103 USD për fuçi, krahasuar me 65 USD për fuçi para nisjes së konfliktit.
Për të ndjekur zhvillimet pas rritjes së çmimeve, qeveria ka ngritur një task force monitorimi. Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi se institucionet do të analizojnë të dhënat mbi çmimet e karburanteve që hyjnë në vend përmes administratës doganore dhe platformës ndërkombëtare të tregtimit të karburanteve.





