Kompania “MODI” sh.p.k është identifikuar si importuesi i rreth 104 ton misri rifuxho të kontaminuar me Aflatoksinë B1 mbi normat e lejuara në Shqipëri. Nga verifikimet e bëra, vetëm 9.5 ton u gjetën gjatë kontrollit fizik më 4 mars 2026, duke ngritur dyshime për lëvizje të paligjshme të produktit.
Inspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, reagoi pas zbulimeve të Agjencisë Kombëtare të Ushqimit (AKU) në Qarkun Shkodër, duke theksuar se ka indicie të forta se një pjesë e misrit mund të jetë hedhur në treg. Të dhënat e Tatimeve tregojnë tregtim prej rreth 119 tonësh gjatë periudhës nëntor 2025 – shkurt 2026.
“Nga 104 ton të kontaminuara, janë konstatuar vetëm 9.5 ton gjendje në datë 04.03.2026. Kjo është objekt hetimi. Ka indicie të forta se ka dalë në treg. Sipas të dhënave nga Tatimet, subjekti ka tregtuar rreth 119 ton gjatë periudhës nëntor 2025 – shkurt 2026,” deklaroi Sula.
AKU ka marrë masa të menjëhershme, duke përfshirë:
Bllokimin e produktit
Vendosjen e 5 gjobave
Urdhërimin e asgjësimit deri më 3 prill 2026
Referimin e rastit në Prokurori për shkelje penale, përfshirë përdorimin dhe tregtimin e produktit të pasigurt.
Sula shtoi se kompania ka kryer shkelje të rënda, përfshirë prishjen e shenjave të bllokimit dhe mungesën e gjurmueshmërisë. Paralelisht po verifikohen edhe përgjegjësi institucionale për mosbllokimin e ngarkesës në kufi.
Ai theksoi se rasti lidhet me ushqimin për kafshë, dhe deri tani nuk ka prova për rrezik të drejtpërdrejtë për konsumatorët, por institucionet kanë vepruar me kujdes maksimal për të parandaluar çdo pasojë.



