International Energy Agency ka bërë thirrje për masa të menjëhershme për të ulur përdorimin e karburanteve, në përgjigje të krizës energjetike të shkaktuar nga tensionet dhe konflikti në Iran.
Sipas IEA-s, sektori i transportit përbën rreth 45% të konsumit global të naftës, duke e bërë atë objektivin kryesor për ndërhyrje të shpejta. Agjencia thekson se edhe ndryshime të vogla në sjelljen e qytetarëve mund të kenë ndikim të menjëhershëm, si kufizimi i shpejtësisë në rrugë, rritja e punës nga shtëpia dhe reduktimi i fluturimeve.
Po ashtu, përdorimi më i madh i transportit publik konsiderohet një masë efektive për uljen e konsumit të karburantit. IEA sugjeron gjithashtu masa si kufizimi i qarkullimit të automjeteve në qytete, përfshirë skema të alternimit të targave çift dhe tek, për të lehtësuar trafikun dhe për të reduktuar kërkesën për naftë.
Agjencia rekomandon që qeveritë të fokusohen në masa të drejtuara dhe efikase, duke shmangur subvencionet e gjera shtetërore, të cilat sipas përvojave të mëparshme nuk japin gjithmonë rezultat gjatë krizave.
Ndërkohë, disa vende anëtare kanë nisur të përdorin rezervat strategjike të naftës. Vetëm një javë më parë, IEA vendosi të hedhë në treg 426 milionë fuçi naftë nga rezervat e emergjencës, me qëllim frenimin e rritjes së çmimeve pas zhvillimeve në Lindjen e Mesme.



