Konflikti në Lindjen e Mesme është përshkallëzuar ndjeshëm, ndërsa një valë sulmesh me raketa nga Iran ka goditur Tel Aviv, duke lënë të paktën 6 persona të plagosur dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Sipas mediave izraelite, sulmi është kryer me një raketë të pajisur me bomba thërrmuese, që përmbante disa nënmunicione dhe rreth 100 kilogramë eksploziv. Goditja ka ndodhur në një zonë qendrore të qytetit, ndërsa fragmente të raketës janë gjetur edhe në zonën e Rosh Ha’ayin, në lindje të Tel Avivit.
Pas sulmit, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kanë ndërmarrë kundërpërgjigje, duke goditur lëshues raketash dhe infrastrukturë ushtarake në perëndim të Iranit. Paralelisht, Izraeli ka zgjeruar operacionet edhe në Liban, ku sipas mediave shtetërore janë kryer disa sulme ajrore në periferinë jugore të Bejrut.
Zhvillimet kanë rritur shqetësimin ndërkombëtar për një përshkallëzim më të gjerë të konfliktit. Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se planet për bisedime me Iranin mbeten “fluide”, duke paralajmëruar se nuk ka ende një vendim përfundimtar. Ndërkohë, Donald Trump ka pohuar se ka shtyrë për disa ditë sulmet ndaj objekteve energjetike iraniane pas bisedimeve që i cilësoi “produktive”, një pretendim që është hedhur poshtë nga pala iraniane.
Tensionet kanë ndikuar edhe në tregjet globale të energjisë. Çmimi i naftës Brent është rikthyer mbi 100 dollarë për fuçi, duke arritur rreth 103.69 dollarë në tregjet aziatike, ndërsa edhe nafta amerikane Nymex ka shënuar rritje.
Ndërkohë, reagime ka pasur edhe nga aleatët ndërkombëtarë. NATO ka dënuar sulmet iraniane, ndërsa sekretari i përgjithshëm Mark Rutte ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed bin Zayed Al Nahyan, ku është diskutuar ndikimi i konfliktit në sigurinë globale.
Po ashtu, presidentja e Komisioni Evropian, Ursula von der Leyen, ka bërë thirrje për një zgjidhje paqësore, duke theksuar se stabiliteti në rajon është thelbësor për furnizimet globale me energji.



