Pas rritjes së ndjeshme të çmimeve të karburanteve me 22% dhe të vajit ushqimor deri në 8%, prodhuesit vendas paralajmërojnë se efekti zinxhir pritet të prekë edhe produktet e higjienës, si preparatet larëse dhe detergjentët.
Edhe pse një pjesë e pluhurave larës prodhohen në vend, lënda e parë për to importohet kryesisht nga jashtë. Ndërkohë, sapunët larës vijnë pothuajse tërësisht nga importi. Prodhuesit bëjnë të ditur se furnitorët e huaj kanë paralajmëruar rritje të çmimeve të lëndëve të para nga 15% deri në 20%, krahasuar me periudhën para nisjes së luftës në Ukrainë.
Sipas tyre, rritja e çmimeve të karburanteve ka ndikuar drejtpërdrejt në shtimin e kostove të prodhimit në fabrikat jashtë vendit, ndërsa një tjetër faktor i rëndësishëm mbetet edhe shtrenjtimi i transportit ndërkombëtar.
Duke marrë parasysh ciklin e furnizimit, që zgjat nga 30 deri në 45 ditë, prodhuesit parashikojnë se çmimet e reja të detergjentëve do të reflektohen në treg duke filluar nga muaji maj.
Rritja e çmimeve pritet të jetë e pashmangshme edhe për produktet e gatshme të importuara, pasi të dhënat e tregut tregojnë se furnitorët e huaj kanë rritur tashmë çmimet.
Një situatë e ngjashme u vu re edhe në mars të vitit 2022, me nisjen e luftës në Ukrainë, kur çmimet e detergjentëve në tregun vendas u rritën me 10% deri në 20%, si pasojë e kostove më të larta të lëndëve të para dhe transportit. Në atë periudhë, prodhuesit raportuan gjithashtu rënie të kërkesës për shkak të shtrenjtimit dhe ndryshimeve demografike.
Të dhënat e INSTAT për vitin 2025 tregojnë se u importuan rreth 68.3 milionë kilogramë produkte të grupit “sapuni, preparatet larëse, lubrifikuesit dhe qirinjtë”, një rritje prej 2% krahasuar me vitin 2024. Ndërkohë, në dy muajt e parë të vitit 2026, importet e këtij grupi shënuan rënie me 13% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Prodhuesit vendas theksojnë se rënia e kërkesës lidhet ngushtë edhe me ndryshimet demografike dhe emigracionin, faktorë që po ndikojnë në uljen e konsumit dhe, për rrjedhojë, edhe në reduktimin e importeve të lëndëve të para për prodhim.



