back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 27 Mars, 2026
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaKriza e karburanteve?/ Importuesit kërcënojnë ndalimin e shitjes pas vendimit të Bordit

Kriza e karburanteve?/ Importuesit kërcënojnë ndalimin e shitjes pas vendimit të Bordit

Vendimi i një dite më parë i Bordit të Transparencës për uljen e çmimeve të karburanteve në tregun vendas ka sjellë reagimin e menjëhershëm të importuesve të mëdhenj të naftës dhe benzinës, të cilët paralajmërojnë masa drastike nëse situata nuk rishikohet.

Bordi vendosi që çmimi i shitjes me pakicë për naftën të fiksohet në 203 lekë për litër dhe për benzinën në 175 lekë për litër, nga përkatësisht 214 dhe 199 lekë që ishin më parë. Ndërkohë, çmimet e shitjes me shumicë u përcaktuan në 191 lekë për litër për naftën dhe 163 lekë për litër për benzinën.

Menjëherë pas këtij vendimi, kompanitë importuese kanë reaguar zyrtarisht duke paralajmëruar “Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë” dhe “Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë” se janë të detyruara të ndërmarrin masa të përkohshme për të shmangur humbjet e mëdha financiare. Konkretisht, ato kanë njoftuar për pezullimin dhe kufizimin e shitjes me shumicë të karburanteve, si dhe frenimin e procesit të zhdoganimit në Porto Romano deri në një moment të dytë.

Sipas dokumenteve zyrtare që kompanitë u kanë dërguar institucioneve, çmimet e vendosura nga Bordi janë nën koston reale të importit dhe tregtimit të karburanteve. Importuesit argumentojnë se metodologjia e përllogaritjes është e bazuar në formulën e vitit 2022, e cila nuk reflekton më kushtet aktuale të tregut ndërkombëtar dhe kontratat në fuqi me furnitorët.

Ata sjellin si shembull të dhënat më të fundit nga bursa ndërkombëtare e datës 26 mars 2026, ku çmimi i naftës arriti në 1,402.5 dollarë për ton, me një rritje prej 134.75 dollarësh, ndërsa benzina u kuotua në 1,037.25 dollarë për ton, me rritje prej 49.25 dollarësh. Duke shtuar edhe premiot aktuale (CIF +55 dollarë për ton për naftën dhe +75 dollarë për ton për benzinën), importuesit llogarisin se kostoja reale ka arritur në 206.2 lekë për litër për naftën dhe 169.7 lekë për litër për benzinën.

Në këto kushte, sipas tyre, çmimet e shitjes me shumicë duhet të ishin të paktën 209.2 lekë për litër për naftën dhe 172.7 lekë për litër për benzinën, duke përfshirë një marzh minimal fitimi prej 3 lekësh për litër. Kjo krijon një diferencë të konsiderueshme me çmimet e vendosura nga Bordi, konkretisht 18.2 lekë për litër më pak për naftën dhe 9.7 lekë për litër më pak për benzinën.

Importuesit kërkojnë mbledhjen urgjente të Bordit të Transparencës për të rishikuar çmimet dhe metodologjinë e përllogaritjes. Ata propozojnë që çmimi të bazohet në kushtet CIF Med, me premiume të përcaktuara dhe me marzhe të qarta fitimi si për tregtinë me shumicë, ashtu edhe për atë me pakicë.

Ndërkohë, efektet e vendimit janë reflektuar menjëherë në treg. Që nga mëngjesi i sotëm, në pikat e karburanteve, çmimi i naftës ka rënë me 11 lekë për litër, duke zbritur në 203 lekë, ndërsa benzina është ulur nga 199 në 175 lekë për litër.

Megjithatë, përfaqësues të industrisë paralajmërojnë se një situatë e tillë nuk është e qëndrueshme. Luigj Aliaj nga Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve thekson se asnjë subjekt nuk mund të detyrohet të shesë nën kosto, duke argumentuar se çmimi real përcaktohet nga kontratat, faturat dhe transaksionet e verifikueshme, të cilat shërbejnë edhe si bazë për llogaritjen e detyrimeve fiskale.

Sipas të dhënave të industrisë, Shqipëria vijon të ketë çmime të karburanteve 30-40% më të larta se vendet e rajonit, kryesisht për shkak të barrës së lartë fiskale. Aktualisht, taksat përbëjnë rreth 53% të çmimit final të një litri nafte në vend, ose rreth 1.16 euro për litër, ndërkohë që në vendet fqinje kjo barrë është ndjeshëm më e ulët.

Kjo diferencë ka nxitur shumë qytetarë që të furnizohen me karburant jashtë vendit, duke çuar në një dalje të konsiderueshme valutore që vlerësohet deri në 1 milion euro në ditë.

Në këtë situatë, mbetet për t’u parë nëse qeveria do të rishikojë vendimin e Bordit apo nëse tregu i karburanteve do të përballet me kufizime në furnizim, çka mund të sjellë pasoja të tjera në ekonomi dhe për konsumatorët.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat