Partia Demokratike ka denoncuar atë që e cilëson si një tjetër skandal me koncesionin e laboratorëve, duke pretenduar se problematikat për qytetarët vijojnë edhe pas kalimit të tij në administrim shtetëror.
Në një deklaratë nga Kryesia e Kuvendit, Bardh Spahia u shpreh se qytetarët po përballen me vështirësi për të kryer analizat laboratorike, duke e cilësuar situatën shqetësuese.
Për këtë arsye, opozita ka kërkuar zhvillimin e një interpelance në Parlament me ministren e Shëndetësisë, Evis Sala.
“Partia Demokratike kërkon një interpelancë në Parlament. Vetë ministrja e ka pranuar publikisht se qytetarët nuk kanë mundësi të kryejnë analizat”, deklaroi Spahia.
Ai akuzoi gjithashtu qeverinë se po synon përfitime edhe në këtë rast, duke i bërë thirrje SPAK të nisë hetimet për këtë çështje.
“Pse SPAK nuk heton koncesionin e laboratorëve? Ministria e pranoi vetë situatën. Kërkojmë hetimin e këtij rasti”, u shpreh deputeti demokrat.
Deklarata e opozitës vjen në një kohë debatesh për funksionimin e shërbimeve laboratorike dhe aksesin e qytetarëve në to.



