back to top
21.5 C
Tirana
E diel, 24 Maj, 2026
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaDiaspora pa taksa dhe projekte 100 mln euro/ Zbardhen vendimet e Qeverisë

Diaspora pa taksa dhe projekte 100 mln euro/ Zbardhen vendimet e Qeverisë

Qeveria ka miratuar sot një sërë vendimesh që prekin fusha të ndryshme, nga politika fiskale dhe lidhjet me diasporën, deri te infrastruktura, arsimi dhe sektori i mbrojtjes.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se është miratuar një projektligj për tatimin mbi të ardhurat, i cili parashikon përjashtimin nga tatimi në Shqipëri të të ardhurave të përfituara jashtë vendit nga shtetasit shqiptarë ose rezidentët në Shqipëri.

Sipas saj, ndryshimi synon të forcojë lidhjen me diasporën dhe të nxisë kthimin dhe investimet e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit. Ibrahimaj theksoi se kjo masë pritet të ketë ndikim edhe tek pensionistët që zgjedhin të jetojnë në Shqipëri pas pensionimit jashtë vendit, duke kontribuar në të ashtuquajturën “ekonomi e argjendtë”.

Në të njëjtën mbledhje, është miratuar edhe një projekt i madh infrastrukturor për qarkun e Shkodrës, i quajtur “Porta e Alpeve”. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, tha se projekti kap vlerën totale prej 100 milionë eurosh, me financim të përbashkët nga Banka Evropiane e Investimeve dhe buxheti i shtetit.

Sipas tij, projekti parashikon ndërhyrje në rehabilitimin e shesheve urbane, rikonstruksionin e bulevardeve dhe krijimin e qendrave multifunksionale, me synimin për të rritur zhvillimin urban dhe turistik të zonës, si dhe për të krijuar një lidhje më të fortë mes Alpeve dhe bregdetit.

Në fushën e mbrojtjes, Qeveria ka miratuar gjithashtu disa akte që lidhen me pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura në misione ndërkombëtare dhe zhvillimin e industrisë ushtarake në vend.

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, njoftoi se është autorizuar shoqëria KAYO për të negociuar marrëveshje me dy kompani ndërkombëtare për prodhimin e mjeteve lundruese dhe dronëve ushtarakë. Ai e cilësoi këtë si një hap të rëndësishëm në krijimin e industrisë së mbrojtjes në Shqipëri.

“Në Republikën e Shqipërisë po krijohet për herë të parë baza për prodhimin e mjeteve lundruese dhe fluturuese pa pilot,” u shpreh ai, duke shtuar se marrëveshjet janë në fazë përfundimtare.

Një tjetër vendim i miratuar lidhet me arsimin, ku është vendosur dyfishimi i pagesës për mësuesit që angazhohen në orë shtesë pas procesit mësimor, në kuadër të programeve edukative për nxënësit.

Sipas ministres së Arsimit, programet synojnë të rrisin aktivitetet jashtëkurrikulare si artizanati dhe punët praktike, ndërsa shpërblimi për orët shtesë është rritur nga 5 mijë në 10 mijë lekë të vjetra për orë.

Në sektorin e pushtetit vendor, ministri Ervin Demo njoftoi miratimin e programit kombëtar të parkimeve, i cili synon zgjerimin e kapaciteteve të parkimit në zonat urbane dhe turistike, në bashkëpunim edhe me sektorin privat.

Gjithashtu, janë miratuar edhe katër bashki të reja në programin e zonave prioritare.

Gjatë deklarimeve për mediat, ministrja Ibrahimaj komentoi edhe rritjen e çmimeve të karburanteve dhe produkteve ushqimore, duke theksuar se qeveria do të vijojë subvencionimin e shtresave në nevojë dhe me të ardhura të ulëta.

Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes u ndal edhe te baza ajrore e Kuçovës, duke deklaruar se Shqipëria do të shqyrtojë çdo kërkesë të SHBA-së për përdorimin e saj.

Qeveria bëri të ditur gjithashtu se çmimet dhe tregjet do të mbeten nën monitorim të vazhdueshëm, ndërsa theksi i vendimeve të sotme është vendosur te zhvillimi ekonomik, mbështetja sociale dhe forcimi i infrastrukturës strategjike të vendit.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat