Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka publikuar një letërporosi të prokurorëve të SPAK, duke i akuzuar ata për mashtrim të qëllimshëm ndaj autoriteteve amerikane në kuadër të hetimeve ndaj tij.
Sipas Metës, dokumenti i datës 11 mars 2025 tregon se prokurorët kanë pretenduar në mënyrë të pavërtetë se ai ka përdorur tre karta bankare amerikane që i përkasin biznesmenit Adrian Shatku. Ai thekson se këto pretendime janë përdorur për të manipuluar institucionet amerikane dhe për të ndikuar negativisht ndaj tij.
Në reagimin e tij, Meta shprehet se çdo letërporosi e dërguar nga SPAK në Shtetet e Bashkuara ka pasur si qëllim krijimin e një “mjegulle” dhe jo provimin e fajësisë së tij. Ai shton se hetimet nuk janë kryer në përputhje me kontratën ligjore GSIS-LSI, e regjistruar si në SHBA ashtu edhe në Shqipëri.
“Prokurorët kanë qenë të bindur që në fillim se gjithçka ishte një mashtrim”, deklaron Meta, duke iu referuar edhe çështjes së lidhur me kompaninë McKeon Group.
Më tej, ai akuzon SPAK se ka mashtruar “hapur dhe qëllimisht, me firmë dhe me vulë” Departamentin e Drejtësisë në SHBA, duke pretenduar se ekzistojnë prova për përdorimin e kartave bankare amerikane nga ana e tij.
Duke mohuar kategorikisht çdo akuzë, Meta deklaron se nuk ka përdorur kurrë në jetën e tij as karta bankare amerikane, europiane apo shqiptare. Ai shton gjithashtu se nuk ka pasur dijeni për përdorimin e kartave të tilla nga persona të afërt apo bashkëpunëtorë të tij.
Në përfundim, Meta siguron qytetarët shqiptarë dhe partnerët ndërkombëtarë se pretendimet ndaj tij janë të pavërteta dhe synojnë dëmtimin e imazhit të tij.




