Detaje të reja dhe komprometuese kanë dalë në dritë nga hetimet që zbulojnë lidhjet e dyshuara mes grupit kriminal të drejtuar nga Inez Hajrulla dhe ish-drejtuesit të Policisë së Vlorës, Rezart Kuçi, i cili së fundmi ishte transferuar në Kukës. Dokumentet hetimore hedhin dritë mbi një skemë të mirëorganizuar bashkëpunimi, ku një zyrtar i lartë i policisë dyshohet se ka ndihmuar drejtpërdrejt aktivitetet kriminale dhe shmangien nga drejtësia.
Sipas dosjes hetimore, komunikimet e siguruara tregojnë se Kuçi jo vetëm kishte dijeni për aktivitetet e grupit, por edhe ndërhynte aktivisht për të fshehur gjurmët e tyre. Në një nga episodet më të rënda, ai dyshohet të jetë përfshirë në trafikimin e rreth 4 tonëve kokainë nga Maroku drejt Spanjës, një operacion që vetë ai e cilësonte si “punë serioze”.
Një nga provat kyçe lidhet me një operacion policor për kontroll banese ndaj një personi në kërkim. Gjatë kontrollit, Kuçi zbulon në një telefon fotografi të një gomoneje që dyshohej se do të përdorej për trafik droge. Në vend që t’i sekuestronte si provë, ai komunikon me Ervis Matodashajn, i konsideruar si krahu i djathtë i Hajrullës, i cili i thotë se mjeti i përket një miku të tij. Pas kësaj, Kuçi bie dakord të zhdukë provat, duke shkruar: “Ok, po ja heq fotot vk”.
Në një tjetër episod të dokumentuar, emri i Kuçit del në vitin 2020 në komunikime me një person të njohur për aktivitet kriminal, Flodian Plaku. Në këto biseda, Kuçi e paralajmëron atë për një operacion të afërt të Antidrogës, duke e këshilluar të largohet nga banesa për të shmangur arrestimin. “Pastro shpinë… vetë mos rri atje… lër veç plakun…”, i shkruante ai, ndërsa strukturat policore përgatiteshin për ndërhyrje.
Hetimet tregojnë gjithashtu se Kuçi ka përdorur aksesin e tij në sistemet shtetërore për të ndihmuar grupin kriminal në identifikimin dhe gjetjen e personave që u detyroheshin para për shpërndarje droge. Sipas Shqiptarja.com, në një rast konkret, ai ka hyrë në sistemin TIMS dhe ka nxjerrë të dhëna personale dhe fotografi të dy personave që kishin një borxh prej 40 mijë eurosh për një sasi hashashi, duke ua vënë këto informacione në dispozicion anëtarëve të grupit,
Ironikisht, pavarësisht këtyre dyshimeve të rënda, mësohet se vetëm një vit më parë Kuçi ishte vlerësuar nga Drejtoria e Policisë së Shtetit me një certifikatë për “shërbime të dalluara ndaj qytetarëve”, një fakt që hedh hije të forta mbi mekanizmat e vlerësimit brenda institucionit.
Rezart Kuçi, i cili mbante së fundmi detyrën e shefit të seksionit në Policinë Shkencore në Kukës, u arrestua më 7 mars. Ai përballet me akuza të rënda, përfshirë shpërdorim detyre, trafik droge dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Hetimet vijojnë, ndërsa pritet që zbardhja e plotë e dosjes të nxjerrë në pah edhe emra të tjerë dhe përmasa të reja të këtij bashkëpunimi të dyshuar mes krimit dhe strukturave të rendit.



