back to top
18.5 C
Tirana
E enjte, 23 Prill, 2026
spot_img
KreuAktualitetEkonomia12.5 mln euro nga BE për sigurinë ushqimore në Shqipëri

12.5 mln euro nga BE për sigurinë ushqimore në Shqipëri

Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, deklaroi se siguria ushqimore mbetet një nga fushat më të rëndësishme për progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Europian.

Gjatë një takimi me kryeministrin Edi Rama dhe përfaqësues të biznesit ushqimor, Gonzato theksoi se vendi ka hyrë në një fazë vendimtare të negociatave me BE-në, ku përparimi nuk matet më vetëm me miratimin e ligjeve, por me funksionimin real të sistemeve.

Sipas tij, një nga elementët kyç është ndërtimi i sistemeve të harmonizuara me standardet europiane, përfshirë laboratorët e akredituar, inspektimet e bazuara në vlerësimin e rrezikut dhe kategorizimin e saktë të operatorëve në sektorin ushqimor.

Ai nënvizoi se një sistem i mirëfunksionues i kategorizimit i lejon autoriteteve të dallojnë subjektet që përmbushin standardet, ato që janë në proces përshtatjeje dhe ato që kërkojnë ndërhyrje më të thella për të arritur përputhshmërinë me BE.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua sektorit të qumështit, ku Gonzato përmendi gjetjet e auditimeve mbi cilësinë e qumështit të papërpunuar, duke e cilësuar përmirësimin e standardeve si parakusht për akses në tregun europian.

Ai theksoi se harmonizimi me rregullat e BE-së jo vetëm që hap rrugën për eksportet shqiptare në një nga tregjet më të mëdha në botë, por gjithashtu rrit besueshmërinë e produkteve dhe forcimin e reputacionit të sektorit ushqimor.

BE, sipas tij, mbetet e angazhuar në mbështetjen e Shqipërisë, përfshirë një financim prej 12.5 milionë eurosh për projektin e sigurisë ushqimore.

“Shqipëria ka bërë përparim të rëndësishëm, por hapat e ardhshëm do të jenë vendimtarë,” u shpreh Gonzato, duke theksuar se përmbushja e kushteve për kapitullin 12 kërkon angazhim politik të vazhdueshëm dhe forcim institucional.

Procesi i integrimit, sipas BE-së, mbetet një përpjekje e përbashkët mes institucioneve shqiptare dhe partnerëve europianë, me fokus të veçantë në standardet e tregut dhe sigurinë e konsumatorit.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat