Bordi i Transparencës ka vendosur ndryshimin e çmimeve të karburanteve në vend në mbledhjen e zhvilluar më 2 maj 2026, duke sjellë rritje si për naftën ashtu edhe për benzinën në tregun me pakicë dhe shumicë.
Sipas vendimit zyrtar, çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil të standardit SSH EN 590 është përcaktuar jo më shumë se 206 lekë për litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë jo më shumë se 194 lekë për litër.
Për benzinën, Bordi ka vendosur që çmimi i shitjes me pakicë të jetë jo më shumë se 184 lekë për litër, ndërsa në shumicë jo më shumë se 172 lekë për litër.
Çmimet e reja kanë hyrë në fuqi sot në orën 16:00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e radhës së Bordit, ku do të rishikohen sërish në varësi të lëvizjeve të tregut ndërkombëtar të naftës.
Paralajmërim për operatorët e tregut
Në njoftimin e saj, Bordi i Transparencës ka theksuar detyrimin e të gjithë operatorëve të tregtimit me shumicë dhe pakicë për të zbatuar vendimin, duke paralajmëruar masa ndëshkuese në rast shkeljesh.
Sipas vendimit, në rast të konstatimit të abuzimeve apo moszbatimit të çmimeve të përcaktuara, do të vendoset pezullimi i aktivitetit të subjekteve përkatëse.
Në deklaratë theksohet se Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë janë të angazhuara për të mbrojtur interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe për të garantuar funksionimin e tregut mbi bazën e konkurrencës së ndershme.
Në njoftim i është bërë referencë edhe Aktit Normativ nr. 1, datë 3 prill 2026, “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
Sipas këtij akti, në rast se çmimi i shitjes me pakicë për gazoilin kalon 220 lekë për litër, ose për benzinën 200 lekë për litër, zbatohet niveli 80% i akcizës.
Megjithatë, Bordi sqaron se bazuar në metodologjinë aktuale të llogaritjes së çmimeve tavan, çmimet e reja të vendosura ndodhen nën kufirin e përcaktuar në aktin normativ. Për rrjedhojë, akciza do të vazhdojë të aplikohet në nivelin e plotë, 100%.
Ky vendim pritet të ndikojë drejtpërdrejt në kostot e transportit dhe çmimet e produkteve në treg, ndërsa operatorët e sektorit të karburanteve janë njoftuar për zbatimin e menjëhershëm të tij.



