Nga paraburgimi, presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka përshëndetur rezolutën e miratuar nga International Democracy Union (IDU), e cila dënon, sipas tij, ndjekjet penale të motivuara politikisht ndaj liderëve të opozitës.
Në reagimin e publikuar në rrjetet sociale, Meta thekson se rezoluta evidenton rastet e tij, të Sali Berisha dhe Fatmir Mediu, si shembuj të përndjekjes politike në Shqipëri.
Ai gjithashtu akuzon kryeministrin Edi Rama për pengimin e procesit të integrimit europian të vendit, duke pretenduar se ushtron presion politik mbi prokurorët dhe gjyqtarët.
Sipas Metës, situata në Shqipëri paraqet një krizë të thellë politike dhe institucionale. Ai përdor një gjuhë të fortë për të përshkruar procesin ndaj tij, duke deklaruar se në vend “fillimisht arrestohesh dhe shpallesh fajtor, e më pas nis gjykimi”.
Në mesazhin e tij, Meta shpreh mirënjohje ndaj IDU-së për, sipas tij, pasqyrimin realist të situatës në vend dhe për mbështetjen ndaj integrimit europian të Shqipërisë, duke akuzuar qeverinë për kapje të shtetit, manipulim zgjedhor dhe përndjekje politike ndaj opozitës.



