Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, reagoi në Kuvend lidhur me aksidentin tragjik të ndodhur të dielën në Durrës, ku një drejtues mjeti në gjendje të dehur i mori jetën dy fëmijëve në zonën e ish-Kënetës.
Në fjalën e tij, Braçe theksoi se ngjarja nuk duhet trajtuar si aksident, por si një krim i rëndë. Sipas tij, bëhet fjalë për “vrasje me dashje” dhe jo thjesht për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
“Dy familje përcollën sot shpirtin e tyre. Kjo është pasojë e një krimi të rëndë në një rrugë lagjeje, vrasje me dashje dhe asnjëherë aksident”, deklaroi ai.
Deputeti socialist ngriti shqetësimin se raste të tilla po trajtohen lehtësisht nga sistemi aktual ligjor. Ai kritikoi faktin që drejtuesit e dehur shpesh arrestohen përkohësisht dhe më pas hetohen në gjendje të lirë, ndërsa në disa raste shmangin pasojat përmes pagesave të gjobave.
Braçe kërkoi angazhim nga Kuvendi për ndryshime në Kodin Penal, duke propozuar që drejtimi i mjetit në gjendje të dehur, me pasoja fatale, të cilësohet si vrasje me dashje.
“Një i dehur që nget makinën hyn në rrugë për të vrarë. Kodi që kemi e normalizon këtë krim. Duhet ta trajtojmë si vrasje dhe jo si aksident”, u shpreh ai.
Sipas Braçes, ndryshimet ligjore janë të domosdoshme për të parandaluar përsëritjen e ngjarjeve të tilla dhe për të forcuar përgjegjësinë penale ndaj autorëve.



